Ish-kampi i Pionerëve ka qenë dikur shumë i frekuentuar, por proceset gjyqësore në vite kanë bërë që ky mjedis të degradohet.
Para viteve ‘90 Kampi i Pionerëve në Dajt ishte gjithmonë plot, por lavdia e dikurshme nuk ekziston më. Pas viteve ‘90 ndërtesa ju dha në pronësi Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të cilat thonë se kanë pronësinë e ndërtesës.
Sipas sindikatave, përmes një procesi gjyqësor ato kanë fituar të drejtën mbi këtë hotel nga Gjykata e Apelit në vitin 2015. Por, prej 3 vitesh Zyra e Regjistrimit të Pasurive refuzon t’u japë certifikatën e pronësisë, duke zvarritur procesin për arsye të paqarta.
Në fakt, për ketë pronë pretendojnë edhe disa shtetas të tjerë, disa që pretendojnë investime të kryera, ose investime që duan t’i kryejnë.
Në ish-hotelin ku spikasin simbolet komuniste të pionerëve të partisë janë bërë disa punime herë pas here, por statusi i kësaj prone me sipërfaqe të konsiderueshme në panoramën e Dajtit mbetet i paqartë.
Sipas informacioneve, disa vite më parë edhe një shtetas gjërman është interesuar të investojë në këtë pronë, por problemet e detyruan të largohet.
Lavdia e dikurshme e ish-kampit të Pionerëve tashmë tërheq vetëm vëmendjen e ndonjë turisti të huaj, që viziton Malin e Dajtit.
Top Channel