Ligji 7501 për më shumë se çerekshekulli duket se ka krijuar më shumë skema mashtruese se sa ka shpërndarë tokë për personat që u takon.
Rasti më i fundit është zbuluar pikërisht në zonën e Kasharit, ku Prokuroria ka marrë të pandehur ish-përgjegjësen e Zyrës së Kadastrës në Këshillin e Qarkut, e cila dyshohet që nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve u ka shpërndarë tokë familjarëve të saj, që nuk ishin banorë të Kasharit, me qëllim për t’i shitur tek persona të tretë, si dhe për të ndërtuar pallate.
Nga hetimet e kryera, Prokuroria dyshohet se toka që i ishte falsifikuar pronësia dhe në disa raste i ishte rritur sipërfaqja në mënyrë fiktive duke shtuar ndonjë shifër dhe më pas shitej tek persona të tjerë sërish të afërm të ish-përgjegjëses së kadastrës, Henrieta Hyka.
Në fund, pas dy-tre shit-blerjesh fiktive lëshohej një prokurorë që i jepte të drejtën Hykës të kryente veprime të tjera me tokën, duke ia dhënë personave të tjerë, kryesisht për ndërtime.
Gjithë kjo skemë, sipas prokurorisë bëhej që e pandehura të humbte gjurmët. Fillimisht, kjo skemë është dyshuar nga dy firma ndërtimi, të cilave e pandehura duket se iu ka kërkuar përqindje të ambienteve të ndërtimit më shumë se sa sipërfaqja e tokës që u kishte vënë në dispozicion.
Më pas, Prokuroria arriti të zbulojë mekanizmin dhe aktualisht, Henrieta Hyka është duke u gjykuar në Gjykatën e Tiranës dhe shumë shpejt Prokuroria do të paraqesë edhe pretencën ndaj saj.
Top Channel