Deputeti i PD-së, Gert Bogdani, i pranishëm në Asamblenë Politike të PPE-së për zhvillimet në Ballkan tha para vendeve anëtare të BE-së se në Shqipëri liritë dhe të drejtat e njeriut janë përkeqësuar ndjeshëm dhe se ekonomia është përqëndruar në duart e klientëve të qeverisë.
Si rastin më të freskët Bogdani përmendi tarifën e rrugës së Kombit, 10 euro për një udhëtim, për të cilën kompania do të marrë 400 milionë euro fitim, në një kohë kur zona e Kukësit jeton në varfëri dhe papunësi dhe ka numrin më të lartë të azilkërkuesve në Europë.
Bogdani u shpjegoi përfaqësuesve të vendeve anëtare në PPE se taksat e larta e të padrejta për qytetarët “me qëllim pasurimin e njërit prej oligarkëve të lidhur me kryeministrin Rama, ishin arsyeja përse banorët e Kukësit u ngritën në protestë të bashkuar, përtej dallimeve partiake”, bën të ditur zyra e shtypit e PD-së.
Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë vuri në dukje se protestuesit u arrestuan në mënyrë të paligjshme, në shkelje të të drejtave kushtetuese dhe vazhdojnë të mbahen në burg pa një procedurë të rregullt ligjore. Bogdani tha se në vijim të metodave autoritariste, për shkak të protestës kundër arrestimit të paligjshëm, janë proceduar penalisht rreth 60 deputetë, kryebashkiakë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët nuk kontrollohen nga kryeministri Rama, me synimin për të shuar zërat kritikë kundër qeverisë.
Bogdani rikonfirmoi qëndrimin e PD për mbështetjen e hapjes së negociatave të anëtarësimit, duke argumentuar se sa më afër integrimit në Bashkimin Europian të jetë Shqipëria, aq më shumë llogaridhënie dhe mbajtje përgjegjësie do të ketë për qeverinë.
Top Channel