Toka është i vetmi burim të ardhurash për Xhelal Hysën dhe bashkëshorten e tij, Xhemilen, në fshatin Shënavlash të Durrësit. Por, ky sezon nuk duket i mbarë për ta, ndërsa janë futur edhe në borxh.
Moskullimi i tokës, shkaktuar nga bllokimi i kanalit kullues, ua ka dëmtuar kulturën e grurit. Një vit më parë, 8 dynymët e tokës, një pjesë të së cilës e ka marrë me qira, i mbolli me misër, por nuk arriti të nxjerrë as kostot e punës dhe plehut kimik. Vendosi të mbjellë këtë herë grurë, por shpenzimet janë të shumta. Burrë e grua janë të dëshpëruar dhe pa shpresë për të korrat e fundqershorit.
“Mbolla misër vjet dhe nuk mora as 10 kile sepse nuk ka ujë, është prishur kanali vaditës. E ndryshova kulturën se mos shisja ndonjë gjë, por lagështirë e madhe. Nuk më del fitim fare. Duhet të bësh letrat për fermerin e shumë gjëra të tjera… Unë nuk kam lekë që të shkoj në Durrës”, thotë Xhelali.
Në anën tjetër të rrugës, Ylli Gjeçi merret me vreshtari prej 15 vitesh. Për të përshpejtuar daljen e produktit në treg ai ka ngritur një serrë në fshatin Shënavlash. Vreshta shtrihet në një sipërfaqe prej 2,5 hektarësh.
Kemi nisur me përgatitjet e stinës, plugimin e plehërimin. Është faza e pastrimit të rrushit tani. Nuk ka shumë shitje, nuk ka shumë konsum. Tregun duhet ta gjejmë vetë ose të importojmë. Jemi lidhur me tregtarë në Durrës e Tiranë sa i përket tregut të brendshëm”, shprehet Ylli.
Mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta të perimeve i ka orientuar mjaft fermerë të Durrësit drejt prodhimeve të tjera më të kërkuara në treg, por në këtë mënyrë ata bëhen pre e një tregu të paorientuar, pa rregulla loje dhe shpesh përfitimi nga fondet e subvencioneve duket i paarritshëm për shkak të procedurave burokratike.
“Kam aplikuar një herë, por shumë burokraci. Letra këtej, letra andej… Nuk kemi gjetur mbështetje të konsiderueshme”, tregon Ylli.
Fermerët janë të bindur se po të kishin mbështetjen e shtetit, jo vetëm të ardhurat e tyre do të rriteshin, por edhe në fshatin me 2 mijë banorë do të kishte më shumë vende të reja pune.
Top Channel