Pamjet e frikshme të anijes çisternë që përplaset me ndërtesën shekullore në Bosfor

09/04/2018 12:54

Pamjet janë shokuese, por fatmirësisht ngjarja nuk është shoqëruar me viktima. Në videon shoqëruese të këtij lajmi është regjistruar momenti tronditës kur një anije çisternë përplaset me një godinë banimi buzë detit të shekullit të XVIII, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Anija, e cila mbante një flamur maltez, ishte duke transportuar elb nga Rusia drejt Arabisë Saudite, kur disa probleme teknike e nxorën atë jashtë kursit të drejtimit dhe shkaktuan përplasjen me ndërtesën historike në ngushticën e Bosforit, në Stamboll.

Pamjet kanë regjistruar momentin kur është përplasur me rezidencën “Hekimbasi Salih Efendi”, buzë detit, përpara se të ndalte lundrimin poshtë urës së dytë të Bosforit. Incidenti u filmua nga kënde të ndryshme nga banorë e turistë të rastit, që i publikuan më pas pamjet në rrjetet sociale.

Njëra prej video tregon sesi njerëzit e tmerruar përpiqeshin të largoheshin nga një tjetër godinë banimi pranë rezidencës së prekur, kur panë anijen që shkonte me shpejtësi drejt tyre.

Anija “Vitaspirit” hyri në ngushticën e Bosforit nga Deti i Zi, e mbante rreth 62 tonë elb. Por, pavarësisht përplasjes horror, asnjë viktimë nuk u raportua, ndërkohë që Bosfori u mbyll përkohësisht nga të dyja drejtimet e lundrimit.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA