Ndërsa vijon takimet organizative për shtrijen protestave kundër taksave të reja, Lulzim Basha priti në zyrën e tij edhe komunitetin e artistëve që kundërshtojnë projektin e teatrit të ri kombëtar.
Sipas kreut demokrat, kryeministri Edi Rama, duke goditur artistët, ka për qëllim të asgjësojë një tjetër vatër të mendimit të pavarur.
“Është antihistorike të mendohet se do të fitojë Edi Rama me oligarkët që duan të bëjnë kullat në teatër. Është antihistorike të mendohet se do të triumfojë projekti sovjetik i ligjit për artin dhe kulturën. Teatri nuk do të shembet, ne do të jemi aty me të gjithë forcën tonë për të bërë gjithçka është e nevojshme për t’iu kundërvënë këtij projekti korruptiv. Trualli i teatrit dhe godina e teatrit nuk duhet të tjetërsohen, por të mbeten ashtu siç janë dhe duhet të investohet për të përmirësuar infrastrukturën, e cila qëllimisht është rrënuar, për të justifikuar pastaj prishjen e saj”, u shpreh Basha.
Artistët janë në protestë të hënave dhe mbështetja e qytetarëve edhe jashtë kuadrit të artit, i bën të besojnë se do t’ia arrijnë qëllimit. Javën që vjen prezantojnë projektin e tyre për një teatër të rikonstruktuar.
Aktori Arben Derhemi deklaroi: “Historia e kombit shqiptar nuk mund të ndërpritet se do një individ. Të hënën do ta shikoni dhe është një nga projektet më të këndshme të rikonstruktimit të teatrit ekzistues kombëtar dhe ndërtimit të një mini-strukture brenda tij, për të bërë një sallë tjetër”.
Basha u premtoi artistëve një projekt kombëtar për artin dhe kulturën, të cilin edhe nëse Rama do ta refuzojë në Parlament, do ta vënë në jetë demokratët në qeverisjen e tyre: “Nuk do të jetë e largët dita kur shqiptarët do ta aprovojnë këtë projekt kombëtar për artin dhe kulturën”.
Sipas kreut të opozitës, do të jetë një projekt që u jep artistëve dinjitet dhe autonomi.
Top Channel