Një 23-vjeçar është plagosur me armë zjarri në oborin e shtëpisë së tij, teksa autori është vënë në pranga menjëherë.
Sipas policisë së Dibrës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00 në fshatin Nezhaj, ku i plagosur rëndë ka mbetur E. Ç., 23 vjeç, i cili është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia e Dibrës me të marrë njoftimin, ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka vënë menjëherë në pranga si autor të dyshuar të ngjarjes, Rr. K., 25 vjeç.
“Në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë dhe vëllezërit e shtetasit Rr.K, shtetasit K.K. 35 vjeç, A.K, 27 vjeç, ku po krihet zona për kapjen e tyre. Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta”, thuhet në njoftimin e policisë së Dibrës.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive banale, pasi delet e 23-vjeçarit kanë hyrë në tokën e vëllezërve dhe debati ka degjenuar në konflikt me armë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe 1 plumb i pa plasur.
Disa metra larg vendit të ngjarjes është gjetur arma e zjarrit tip automatik, që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Top Channel