Lezhë, rreziku në rrugën e kalasë. Bashkia premtoi zgjidhje, por nënkryetari u arrestua

07/04/2018 12:27

Banorët në rrugën e kalasë në Lezhë vijojnë të kenë shqetësimin e rrëshqitjeve. Një muaj më parë, nënkryetari i bashkisë premtoi zgjidhje, por as 24 orë nga ajo deklaratë ai u arrestua për çështjen e bujshme të tjetërsimit të tokave në bregdet. Situata nuk ka ndryshuar dhe banorët apo drejtuesit e mjeteve çdo ditë jetojnë me rrezikun.

Në 15 mars, nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, premtoi masa emergjente për rrugën: “Do të marrim masa që situata të rregullohet dhe të gjejmë një rrugë kalimi për në lagjen Varosh sepse është një lagje që rrezikohet çdo ditë”.

Por, një ditë më pas, ngjarjet rrodhën ndryshe në Lezhë. Nënkryetari u arrestua dhe rruga e kalasë mbeti pak jashtë vëmendjes. Por, edhe sot, 25 ditë më pas, kjo rrugë vegjeton e prishur, teksa banorët e autoveturat, pa pasur mundësi të tjera, kalojnë aty, ndonëse të frikësuar.

Preng Doku është banor i vjetër i lagjes Shehër, një lagje e vjetër e Lezhës që lidhet me këtë rrugë. Ai thotë se e ka ditur se situata mund të kishte këtë rrjedhojë, pasi metoda e ndërtimit ishte e gabuar.

“Është bërë jashtë kushteve teknike. Duhet t’i ishte dhënë mbështetje murit”, shprehet Doku.

Drejtuesit e mjeteve janë të frikësuar, por hezitojnë të flasin, ndërsa një qytetar që kishte ardhur për të vizituar kalanë thotë se nuk duhet të pritet tragjedia për të ndërhyrë: “Problemi i shqiptarëve është se presin që të ndodhin një herë tragjeditë, e pastaj marrin masa”.

Bashkia e Lezhës e ka nisur kërkesën pranë Emergjencave të Përgjithshme Civile për asistencë, pasi e ka të pamundur ndërhyrjen, por gjithçka është ndalur këtu, ndërsa rruga e kalasë mbetet në vendnumëro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA