Eshtrat e të vrarëve në komunizëm; ende 4500 të pagjetur pas tri dekadash demokraci

07/04/2018 20:06

600 persona u pushkatuan pa gjyqe, gjatë regjimit komunist vetëm në Shkodër. Familjarë të 450 prej tyre sot vizitojnë vendin e dënimit, madje dijnë dhe vendin ku u pushkatuan afërsisht, por nuk dinë se ku janë hedhur eshtrat e tyre.

Luigj Malaj, djalë i vetëm i familjes, i cili nuk ka reshtur së kërkuari eshtrat e të atit pas një kalavari të gjatë vuajtjesh nëpër internime gjatë regjimit komunist, tregon se si ai guxoi të thyente hetuesinë e Shkodrës.

“Babai ka thyer hetuesinë. Me lugë e ka gërryr e pastaj ka ikur, por e kanë gjëmuar dhe e kanë vrarë në Gromirë”, thotë ai.

Mark Mikaj ka qenë vetëm 9 vjeç kur i kanë pushkatuar të atin. Me zërin që i dridhet thotë se ka një peng të madh.

“Sot jam 82 vjeç e të mos e di ku i ka kockat me i vendos një tufë me lule a një qiri”, shprehet ai.

Mark Mikaj di vetëm që babain ia kanë pushkatuar në Zall të Kirit.

“Në Zall të Kirit na kanë thënë që i kanë pushkatauar. E këtu pastaj kockat mund t’i ketë marrë lumi”, shton i moshuari.

Marku tregon se si veç dhimbjes, e gjithë familja ka vuajtur pasojat e regjimit komunist, e për këtë ka tentuar edhe vetë të arratiset.

“Jam dënuar me 15 vjet burg pasi tentova arratisjen se këtu më persekutonin, më thonin ja ai është djali i atij tradhtarit të pushkatuar”, kujton Marku.

Në varrezat e katolikëve në Shkodër gjendet një rrap 500-vjeçar, ku thuhet se shërbente për të pushkatuar ata që nuk i bindeshin regjimit komunist me, ose pa gjyq.

“Me pas gojë ky rrap tregon se sa pushkë janë derdh mbi shkodranët këtu”, thotë Prel Doshi.

Luigj Malaj mban mend se babain ia pushkatuan dhe më pas i bënë gjyqin.

“Babai ka ikur në 1945 në Jugosllavi. Më vonë u kthye dhe e kapën dhe e pushkatuan në 1971. Një vit më vonë i bënë gjyqin dhe e dënuan me vdekje”, tregon Luigji.

Presidenti i Uniont të të Burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë i bën thirje qeverisë shqiptare që të gjenden eshtrat e të pushkatuarve të asaj kohe.

“Janë mbi 4500 eshtra personash të pagjetur dhe të ndërtohet një memorial pranë Kryeministrisë. Kujtesa nuk është hakmarrje!”, apelon Besim Ndregjoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA