Në Hipotekën e Durrësit prej vitesh sorollaten banorët, të cilët nuk mund të regjistrojnë pronën e tokës së fituar nga ligji 7501. Gazetarja Vali Qyrfyçi tregon ecejaket e dy banorëve të qytetit bregdetar, të cilët duhet të rifillojnë procedurat sërish nga e para, edhe pse kanë kaluar vite të tëra në dyert e gjykatave.
Prej shumë vitesh, dy qytetarë, Jahe Gjuzi dhe Hashim Shemsi, sorollaten në sportelet e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, secili në kërkim të së drejtës së pronës mbi tokën të fituar nga ligji 7501.
Jahe Gjuzi, ndonëse ka në dorë aktet e marrjes në pronësi të tokës, nuk mund ta gëzojë i qetë atë. Ka afro 20 vjet që kërkon të drejtën e tij, por në momentin që do të pajisej me certifikatën e pronësisë, i është kërkuar që të rifillojë procedurën nga e para, pasi duhen bërë rakordimet me Bashkinë e Durrësit.
“Vetëm letrën e komunës kemi, që na është dhënë në fillim, kur u nda toka. Shpresa e fundit është Prefekti. Me nënkryetarin e bashkisë kemi folur, dy herë na priti mirë, herën e tretë u nxeh dhe na përzuri.
Edhe Hashim Shemsi, ndonëse ka një vendim gjykate të formës së prerë që prej vitit 2006, nuk mund ta regjistrojë atë. Në shenjë proteste për këto sorollatje, ai ka ndërmarrë disa vite më parë edhe aktin e dëshpëruar të vetëdjegies me benzinë para Gjykatës së Durrësit. Shenjat e këtij akti të rëndë i ka ende në trup, por zgjidhje nuk ka marrë ende për problemin e tij.
“Edhe nëse shkoj në gjyq, nuk kam çfarë kërkoj sepse vendimin e gjyqit e kam. Kam shpenzuar shumë lekë”, shprehet Shemsi.
Përmbaruesit nuk e ekzekutojnë vendimin e gjykatës, pasi në Hipotekë një pjesë e pronës së tij rezulton me mbivendosje, por pala e interesuar për këtë konflikt pronësie nuk është paraqitur në gjyq, edhe pse pati marrë njoftim mbi të.
Top Channel kontaktoi drejtuesit e Hipotekës në Durrës në lidhje me këto raste. Për rastin e Hashim Shemsit, në këtë zyrë thonë se ai duhet ta zgjidhë problemin e mbivendosjes vetëm duke nisur një proces të ri gjyqësor, ndërsa rasti i Jahe Gjuzit është në pritje të një përgjigjeje nga Bashkia e Durrësit.
Ndërkohë, ecejaket e Jahjes dhe Hashimit nëpër institucione, ashtu si dhe të tjerë qytetarëve, vazhdojnë.
Top Channel