140 pemë në përkujtim të oficerit të RENEA-s, Elham Elezi

07/04/2018 13:11

Elham Elezi, oficer i RENEA-s, humbi jetën në moshën 29-vjeçare në vitin 1998, gjatë një operaconi pengmarrjeje.

Në kujtim të tij, 20 vjet më pas, familjarët dhe punonjës të policisë kanë dhuruar plot 140 pemë të cilat janë mbjellë në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

Në mbjelljen e fidanëve të rinj, së bashku me ish-kolegë dhe familjarë të efektit të RENEA-s, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se sot detyra e çdo qytetari është të përkujdeset për qytetin ku punon dhe jeton.

“I falenderoj shumë miqtë dhe familjen e dëshmorit të policisë, Elham Elezi. Në një moshë shumë të re dhe në vite shumë të vështira për Shqipërinë, ai dha jetën për vendin. Sot, teksa flasim për patriotizëm, unë besoj se mënyra se si familja e tij dhe miqtë e tij e përkujtojnë atë është një formë tjetër patriotizmi; sot është e nevojshme ta duam qytetin, ta mbajmë pastër dhe të përkujtojmë të dashurit tanë, me një stol, me një pemë”, tha Veliaj.

Babai i Elham Elezit, efektivit të RENEA-s që ra në krye të detyrës në Tiranë, i falënderoi mes emocioneve punonjësit e policisë që kontribuan për përkujtimin e të birit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për sigurinë e qytetarëve, me mbjelljen e pemëve në Parkun e Liqenit.

Aksioni për mbjelljen e pemëve të reja do të vijojë gjer më 22 prill, që përkon me Ditën e Tokës. Duke vlerësuar angazhimin e qytetarëve në këtë nismë, kryebashkiaku Veliaj shtoi se detyra numër një e çdo banori të Tiranës është të jetë së pari, qytetar, dhe më pas profesionist i mirë.

“Kartolinë më të bukur për Ditën e Tokës nuk ka, duke dhuruar gjelbërim. Sot jam jashtëzakonisht i lumtur se kam fatin të drejtoj dhe të shërbej në qytetin më solidar që ka Shqipëria, ku njerëzit pavarësisht profileve të tyre, pavarësisht profesioneve, ngarkesës ditore, ndonjëherë stresit, gjithmonë gjejnë kohë për të qenë qytetarë. Më vjen mirë që nga fëmijët e vegjël në çerdhe, kopshte, shkolla, e deri tek ata që janë në pension apo që janë në shtëpitë e të moshuarve, kanë treguar solidaritet dhe jemi sjellë si një familje e madhe”, u shpreh ai.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA