Qytetarët e Vlorës, Fierit, Beratit dhe Gjirokastrës do kenë mundësi të përfitojnë shërbime të nevojshme sa i përket asistencës dhe kërkesave të ndryshme që do kenë në vijim lidhur me shtetin austriak në konsullatën e re të Nderit në Vlorë.
Konsullata u çel sot në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike dhe njerëzore
“Çelja kësaj konsullate, e cila do të mbulojë Jugun e Shqipërisë pas asaj të Shkodrës që mbulon Veriun, vjen në momentin e duhur, atëherë kur na nevojitet të konsolidojmë edhe më tej marrëdhëniet jo thjesht diplomatike, por mbi të gjitha ato njerëzore me Austrinë” – u shpreh Ministri Bushati gjatë fjalës së tij përshëndetëse – duke mos harruar që shtrati i intelektualëve dhe mendimit intelektual shqiptar filloi të formësohej falë mbështetjes për arsimim të Austrisë”.
Shtimi i përfaqësisë së Konsullatës së Nderit të Austrisë në Vlorë ka një rëndësi të veçantë sa i përket rritjes së bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike, “duke pasur parasysh mundësitë ende të pa shfrytëzuara që ofron Vlora dhe projektet e reja ambicioze që Qeveria shqiptare synon të zbatojë në Vlorë, por edhe projektet gjeostrategjike si TAP, Korridori VIII dhe dalja dhe ushtrimi i veprimtarisë sonë ne Adriatik dhe Jon, jo vetëm ekonomik por edhe politik dhe njërëzor, që ka një impakt të dallueshëm në Mesdhe”, tha Ministri Bushati.
Krahas Konsullatës së Nderit të Bullgarisë, tani Vlorës i shtohet edhe Konsullata e Nderit e Austrisë, me Konsull Arben Malaj. Konsullata e Nderit në Vlorë i shtohet 43 Konsullatave të tjera të Nderit, që ndodhen aktualisht në vendin tonë.
Top Channel