Nga një Parlament gjysmë bosh, ku e dëgjonin vetëm deputetët e tij, Edi Rama u dha kuksianeve lajmin që kërkonin të dëgjonin.
“Nuk do të rifillojë pagesa pa gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”, tha Rama.
Kërkoi përsëri ndjesë duke pranuar se nuk kishte menduar për impaktin psikologjik që pagesa do të shkaktonte te banorët e zonës.
“U kam kërkuar ndjesë, nuk patëm intuitën për të kuptuar nevojën që të sqaronim. Ajo që duhet përsëritur nga ana ime dhe e qeverisë është vetëdija për përgjegjësinë time dhe tonë për pamjaftueshmërinë e shpjegimeve dhe të sqarimeve lidhur me këtë çështje. Nuk kemi pasur intuitën e duhur për të kuptuar domosdoshmërinë e sqarimit të gjithë kësaj çështje, përpara se të vendosej sistemi i pagesës”, vijoi Rama.
Tjetër qasje ka me tregtarët që ankohen për tarifat e kamionëve në Rrugën e Kombit, duke u rikujtuar faturat e një prej koncesioneve të ish-qeverisë Berisha.
“Ku ishin ata kur tarifën e faturës, e një fature çdo kamion kur dilte nga Durrësi e kur hynte në Durrës e kishin 36 euro, dhe një kamion ka deri në 15 fatura, dhe llogariteni se sa kanë paguar për një konçesion, për një skanim që e ka detyrë shteti ta bëjë”, tha Rama.
Rama shpjegoi se Qeveria nuk mund të marrë borxh për mirëmbajtjen e rrugëve, pasi është e detyruar të paguajë për borxhet e marra nga demokratët gjatë qeverisjes së tyre.
“42 milionë dollarë janë pagesa që në vitin 2018 do të shkojnë për rrugën e kombit. E dini sa është totali qëne paguajmë çdo vit për rrugët e bëra me borxhe nga Saliu? Është 110 milionë dollarë në vit”, tha më tej Rama.
Popullit që i rikujton shpesh se erdhi në pushtet me premtimin për të drejtësi, përgjigjen ua kthehu popullorçe.
“Kujt më thotë që ju e harruat atë që thatë, që do të shkojnë përpara drejtësisë të gjithë ata që bënë 21 janarin, të gjithë ata që bën Gërdecin, të gjithë ata që vodhën këtu, i them më merr te keqen, sepse jo vetëm nuk kemi harruar po kemi ndërmarrë reformën më të vështirë duke vënë në rrezik me vetëdije dhe qeverinë tonë”, foli kryeministrit.
Një inat të vjetër ushqen me njerëzit e medias, opinionistë e analistë.”Kundër oligarkëve, koncesioneve, kullave e tullave. Barbarë më keq se ata që vunë zjarrin, të paditur, të ligj. E kanë e nga një shtëpi e kanë e nga dy nga rrogat e analizave”.
Riktheu fantazmën e Sali Berishës, të cilin e akuzoi se nxit ndasinë veri-jug. Ai vetë përbuzjen për veriorët tha se e ka për emra të përveçëm.
“Mbase ndonjëherë mund të them dhe diçka më shumë se sa duhet, po kurrë nuk kam parasysh asnjë të zakonshëm. Faji im që kur thashë atëherë alpinët, nuk thashë Saliu, vajza, djali, Rahmoni e dermoni që u shfaqën si trashëgimtarë pronash afër detit”, tha ai.
Fjalimin e gjatë e mbylli me një paralajmërim për opozitën, e cila sipas tij është në rrugë për shkak të halleve të saj.
“Çfarë i shtyn ata të nxisin zjarr e rrëmujë e kaos? Çfarë e shtyn Lalagjonin dhe Maçokun me çizme, ta harrojnë atë që thanë që ne do presim sa të dalë raporti se për ne Shqipëria është më e rëndësishme se qeveria. Çfarë i shtyn? I shtyn diçka që po ndodh sot, i shtyn diçka që ata e dinë shumë mirë, dhe shumë shpejt do e shohin të gjithë shqiptarët”, e mbylli Rama fjalimin.
Top Channel