Gjyqtarja e Kushtetueses Vitore Tusha e kalon vettingun, figurë e pastër

05/04/2018 09:20

Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve e ka cilësuar në vendimin e këtij mëngjesi si figurë të pastër gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

Një ditë më parë në seancën dëgjimore, trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përmendi raportin e inspektoratit të pasurive, ku gjyqtarja Tusha rezulton me pasuri justifikuara. Raporti përshkruan se gjyqtarja kushtetuese i ka deklaruar pasuritë e saj, të tilla si banesë në Tiranë, 500 metra toke në Farkë dhe shtëpi në Gjirin e Lalëzit, për të cilën ka ende pa shlyer një këst. Edhe për komponentin e dytë të Vettingut, DSIK ka referuar se gjyqtarja Vitore Tusha ka figure të pastër dhe pa lidhje të dyshimta. E njëjta gjë konkludohet edhe për aftësitë profesionale të gjyqtares Tusha pas kontrollit të pesë dosjeve gjyqësore.

Gjyqtarja kushtetuese u testua nga KPK dhe vëzhguesi i ONM Teo Jacobs, edhe për aftësitë profesionale. Profesoresha e të drejtës civile dhe trajnuesja në shkollën e Magjistraturës të gjyqtarëve dhe prokurorëve dha provim verbal për dy parime të rëndësishme siç janë, barazia para ligjit dhe kufizimi i lirisë.

Pavarësisht se KPK përmendi se ndaj gjyqtares në karrierën e saj ka patur pesë ankesa nga qytetarët për vendimmarrjet, nuk u dha asnjë konkluzion në këtë pikë. Vendimi do të shpallet të enjten. Por nga gjetjet e evidentuara, parashikohet që Tusha të jetë e para gjyqtare ndaj të cilës do të vendoset vula pozitive, e përshtatshme për të qenë gjyqtare.

Vitore Tusha mban gradën “Doktore shkencash”, anëtare e Gjykatës Kushtetuese që prej vitit 2008. E gjithashtu anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Tusha është mes gjyqtarëve që kanë shpallur si jo kushtetuese çështje me ndjeshmëri të lartë publike sikurse marrëveshja e detit, apo ligji i lustracionit.

Ndërsa u rreshtua mes gjyqtarëve kushtetues që i thanë po ligjit të Vettingut. Por çështja më e bujshme e shqyrtuar prej saj është regjistruar gjatë kohës që mbante detyrën e gjyqtares së Kasacionit, nga viti 1994 deri më 2001. Në nëntor 1995 , Tusha rrëzoi kërkesën e ish-Kryeministrit Fatos Nano, i cili kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu pasi ishte dënuar me 12 vite heqje lirie.

Megjithatë, Nano e la burgun para kohe, pasi ndryshimet e atëhershme në kodin penal e ricilësuan veprën për të cilën ai ishte shpallur fajtor, duke ulur edhe parashikimin e dënimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA