Gjykata, vendime kontradiktore, paqartësi për vijimin e punës me dosjet

05/04/2018 15:23

Çdo dosje që është hetuar dhe gjykuar tek Krimet e Rënda para datës 1 gusht 2017 do të ngelet tek Krimet e Rënda.

Ky është thelbi i vendimit të Gjykatës së Lartë shpallur të mërkurën për Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe që zgjidh rrëmujën e krijuar nga një vendim tjetër i Gjykatës së Lartë. Por ky vendim pritet të krijojë një tjetër rrëmujë, pasi pritet që dosjet për të cilat Krimet e Rënda kanë shpallur moskopetencën të kthehen sërish tek Krimet e Rënda.

Mbi 30 dosje për të cilat Krimet e Rënda hoqën dorë duke ua përcjellë gjykatave në rrethe do të rikthehen sërish në Tiranë. Ato do të hetohen e gjykohen sikur kjo gjykatë të jetë e njëjta që pas krijimit të saj në vitin 2004. E tillë është edhe dosja e një ton drogë e bllokuar në vitin 2015, pra para se të hynin në fuqi ndryshimet ligjore të reformës në drejtësi.

Dosja e drogës së bllokuar në një kamion me lëndë drusore u bë shkak që një trupë gjyqësore me pesë anëtarë, të korrigjonte paqartësitë që hapi një vendim paraardhës i të njëjtës gjykatë mbi kompetencat e Krimeve të Rënda.

Vendimi më i fundit me relator Edmon Islamajn, por që nuk është zbardhur ende saktëson se çështjet e regjistruara para një gushtit, megjithëse nuk janë kompetencë e Krimeve të Rënda do të vazhdojnë të shqyrtohen në këtë godinë.

Pra, çdo çështje e trafikut të drogës, vrasje në familje, çështje terrorizmi që ka qenë nën hetim para kësaj periudhe duhet të kthehet në këtë gjykatë. Por edhe dosjet që janë gjykuar para këtij afati ose janë nën gjykim do të vazhdojnë të shqyrtohen si të tilla, për shembull çështja e Dritan Dajtit e ndalon Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda të shpallë mos kompetencën e po ashtu edhe dosja e vrasjes së Ibrahim Bashës në Lazarat.

Sipas këtij vendimi, Krimet e Rënda marrin staturën e Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për veprat që kanë ndodhur pas datës një gusht.

Vendimi që shkaktoi kaos tek Krimet e Rënda është po i Gjykatës së Lartë dhe mban datën 16 mars 2018. Në të thuhej se dosja e Erblin Tukës e të tjerë nën akuzë për trafik droge duhej të përcillej në gjykatë të zakonshme, duke deklaruar se kjo gjykatë duhet të ekzistojë tashmë si gjykatë e re që pritet të ngrihet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA