Një tjetër bllok pallatesh i është nënshtruar rikualifikimit të plotë. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për krijimin e një hapësire çlodhëse dhe për rregullimin e rrugicave për të gjithë banorët e kësaj zone në brendësi të NSHRAK-ut që deri më tani ka shërbyer si një vend parkimi për automjetet, ndërkohë që gjatë kohës së reshjeve mbulohej nga balta.
Aktualisht ka përfunduar puna për ndërtimin e trotuareve si dhe për vendosjen e ndriçuesve, ndërkohë që po punohet dhe me ndërtimin e lulishtes e cila do të ketë edhe një park të madh lojërash për fëmijët, ku do të instalohen module të ndryshme lojërash.
Pritet që ky investim tepër i rëndësishëm për banorët të ndikojë edhe në rritjen e vlerës së pronës. Në tre vite, Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë çdo vit në 50 blloqe banimi në kryeqytet, duke i shndërruar në hapësira qetësie.
Top Channel