Përmes kreut të Grupit Parlamentar, Partia Socialiste i kujtoi opozitës së thirrjet dhe protestat për të refuzuar taksat janë në kundërshtim me ligjet e vendit.

“Është e paligjshme që një politikan u bën thirrje qytetarëve të mos paguajnë taksat, kur ndërkohë mbi bazën e tyre funksionon buxheti i shtetit, funksionojnë të ardhurat, funksionojnë shkollat, funksionojnë qendrat shëndetësore, funksionojnë spitalet”, deklaroi Taulant Balla.

Thirrjet e Partisë Demokratike, Balla i interpreton si përpjekje për t’i shpëtuar hetimit të financimit të kësaj partie nga rusët.

“Të gjithë e dimë se procesi i hetimit po ecën dhe Lulzim Basha nuk duhet të vonojë të japë dëshmitë e veta për këtë çështje”, shtoi kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Një tjetër arsye, sipas Ballës, është edhe pritshmëria për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

“Ky përshkallëzim i sjelljes së opozitës ka të bëjë pikërisht me të gjitha pritshmëritë që Komisioni, në mesditën e 17 prillit, do të rekomandojë hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, pa asnjë kusht. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, por nuk është një lajm i mirë për treshen Berisha-Basha-Kryemadhi”, vijoi ai.

Kjo treshe, sipas Ballës, i trembet edhe reformës në drejtësi.

“I gjithë shqetësimi i treshes nuk ishte taksa e rrugës Durrës-Kukës, e cila është një vendimmarrje që ka kaluar në debat në Kuvendin e Shqipërisë në 2016, por ishte kundërvënia ndaj procesit të rëndësishëm të implementimit të mëtejshëm të Reformës së Drejtësisë, kundërvënia kundër Vettingut, referimet për rastin e parë të procesit të Vettingut që shkoi në fund”, deklaroi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA