Mosbindja civile ishte vendimi unanim me të cilin ka dalë opozita e bashkuar si formë proteste kundër Qeverisë.
“Kemi dalë me një vendim unanim, në krah të qytetarëve, të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi që po goditen, vidhen dhe përçmohen nga një bandë kriminale në pushtet”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.
Në përfundim të mbledhjes së përbashkët me LSI-në, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dolën para mediave ku thanë se mosbindja civile është zgjidhja e vetme, pasi nuk shehin alternativë tjetër në rrugë institucionale.
“Në këtë vend nuk ka demokraci! Në këtë vend Qeveria shkel Kushtetutën, ligjin pa i dhënë llogari askujt dhe pa asnjë pasojë. Merr fund dhe kapet reforma në drejtësi! Këtu nuk ka më rregulla loje demokratike. Hapësira e vetme është mosbindja qytetare dhe kjo nis që këtë javë me refuzimin, të çdo takse që ka rritur Edi Rama dhe me të gjitha hapat, format dhe mënyrat e mosbindjes qytetare si forma më e lartë e veprimit politik e qytetar kundër një klike që po zbras Shqipërinë”, tha Basha.
Sipas kreu të PD-së, Edi Rama po sundon në mënyrë ilegjitime dhe pasi vodhi zgjedhjet me banda, vazhdon të qeverisë me bandat dhe një grusht oligarkësh të cilëve, thotë ai, u shet Shqipërinë pjesë-pjesë.
Monika Kryemadhi thotë se refuzimi për të paguar taksat është për të larguar dorën e Edi Ramës nga xhepat e shqiptarëve.
Top Channel