Është pjesërisht marshim aktivistesh e pjesërisht mision humanitar. Turma emigrantësh nga Amerika qendrore i janë drejtuar Meksikës gjatë javës së shenjtë për të ndjekur prej andej rrugën drejt kufirit me SHBA në veri.
Është kthyer në një traditë të përvitshme tashmë, kujton CNN, dhe tërheqja e vëmendjes ka qenë një nga qëllimet e të ashtuquajturve “karvane të emigrantëve” që kalojnë nga Meksika.
Por rrugëtimi i tij viti ra më shumë në sy falë serisë së mesazheve që përcolli të dielën në Twitter presidenti amerikan Donald Trump.
“Agjentët e patrullimit kufitar nuk lejohen ta bëjnë siç duhet punën e tyre për shkak të ligjeve qesharake të demokrateve siç është “kap dhe lësho”. Gjerat po bëhen më të rrezikshme. Karvanët po vijnë”, shkroi Trump në rrjetin social ku theksonte se marrëveshja DACA nuk do të ekzistojë më.
Trump bëri thirrje një ditë më parë për ligje më të forta emigracioni, duke u betuar se nuk do të ketë ujdi për përfituesit e programit në fjalë, të rinj që kanë shkuar në Amerikë në moshë të vogël pa dokumente e që mbroheshin nga një program i miratuar prej administrates Obama.
Mesazhet e Trumpit e vunë karvanin në qendër të debatit amerikan të emigracionit, por vetë pjesëmarrësit e tij këmbëngulin se arsyet e lëvizjes drejt veriut kanë të bëjnë më shumë me kushtet në vendet e origjinës sesa me politikat e emigracionit të SHBA, ku ata planifikojnë të kërkojnë azil.
Top Channel