“Fiks Fare” iu rikthye temës së shfrytëzimit pa kriter të shtretërve të lumenjve, ku subjekte dhe individë punojnë pa leje nga organet shtetërore. Për rrjedhojë, çdo vit mijëra banesa, troje dhe tokë bujqësore mbulohen nga uji, duke shkaktuar dhjetëra miliona euro dëme.
Kontrollet e institucioneve shtetërore janë vetëm sporadike dhe me fushata, ndërsa ajo që ngelet pas është shkatërrimi i lumenjve të mbrojtur ligjërisht.
Aktualisht, ligji e ndalon shfrytëzimin e lumenjve, ndërsa kamera e “Fiks Fare” faktoi një skandal, në një degë të lumit Shkumbin, ku firma, e cila kishte leje për të rehabilituar zonën, nxjerr dhe shet inerte.
Gazetarët e “Fiksit” shkuan në shtratin e lumit Rrapun, degë e lumit Shkumbin, pranë urës në të cilën kalojnë shinat e trenit. Në këtë zonë ushtron aktivitet subjekti “Nuri Disha”, i cili merr inerte në lumë, ndërkohë që aktualisht ndodhemi në periudhën e ndalimit të marrjes së inerteve.
“Fiksi” filmoi një ekskavator të kësaj kompanie duke marrë inerte në lumë, afër urës. Ekskavatori ka gërmuar edhe afër këmbëve të urës, duke rrezikuar shembjen e saj. Ndërkohë, afër ekskavatorit është edhe një kamion 10-tonësh që ngarkohet me inerte. Kamera e “Fiks Fare” filmoi kamionin, i cili pasi ngarkohet shkon disa metra më larg, në pikën e grumbullimit të kësaj kompanie.
Duke qenë se është periudhë gjatë së cilës ndalohet marrja e inerteve, gazetarët e “Fiks Fare” shkojnë në kantier për të biseduar me pronarin, ndërsa i kërkojnë që të marrin 150 metër kub zhavorr.
Pronari Nuri Disha pranon që t’u shesë gazetarëve të “Fiksit” 150 metër kub inerte, ndërsa u tregon se i merr në lumë gjatë fundjavës. Për këtë, ai thotë se paguan diçka.
“Për transportin kam kamion 10 metër kub. Ato janë 15 rrugë zhavorr”, thotë pronari, ndërsa gazetarët e pyesin nëse ka apo jo frikë nga institucionet shtetërore.
“Kam një lejë për lumin, nuk është problem i asaj. Në darkë e ngarkoj me ekskavator, e fus kamionin në lumë. Leja për shfrytëzimin e lumit për inerte na fillon më 1 qershor. Kurse unë nyjën e kam afër lumit dhe hyj dhe e marr. Pasdite e ngarkoj kamionin, ditë të shtunë ose të dielë”, thotë ai.
Më tej tregon edhe për “lejen” kundrejt pagesës. “Për shembull, për të punuar nesër, të shtunën ose të dielën, nëqoftëse do ishte situata, flas edhe me komisarin. Ia fus të shtunën ose të dielën, po dy rrugë mund të çosh në ditë. Zhavorri kushton 200 mijë lekë (të vjetra) makina”, pohon pronari i pikës së inerteve.
Më tej shton se ka punuar gjatë të gjithë kohës dhe gjithçka varet nga fronti i punës që i hapet. Sipas tij, “lidhesh me këta (policët) dhe u jep lekët. Hyj për 10 ditë, madje nxjerr edhe 2.000 metra të tjera, se nxjerr 200-300 metër kub në ditë, s’është problem ajo punë”. Në fund i tregon gazetarëve të “Fiks Fare” se i mbyll gjithçka me lekë.
“Fiks Fare” pyeti pranë Agjencisë së Baseneve, ku sipas dokumentit të datës 24 prill 2017 rezulton se, zona në fjalë do të rehabilitohet dhe materialet nuk duhet të depozitohen në kantier. Sipas saj, kompania ka të drejtë të thellojë shtratin e lumit dhe të spostojë rreth 60.500 metër kub. Madje, materiali i gërmuar do të merret pa krijuar gropa, ose marrje të panevojshme të fundit të shtratit.
Në përfundim të punimeve duhet të zbatohet plani i rehabilitimit mjedisor, duke mbjellë edhe pemë. Në dokument cilësohet qartë se “aplikanti duhet që në çdo rast të shmangë shfrytëzimin e inerteve pa kriter dhe nuk duhet të shfrytëzojë materialet e inerteve në këtë zonë”.
Agjencia e Baseneve Ujore kërkon që kompania të ketë një kujdes të veçantë të veprave të Artit; Urën e Trenit dhe Urën e Rrapunit. Por, nga vëzhgimi i “Fiks Fare” rezultoi se kompania ka marrë inerte edhe afër këtyre urave.
Agjencia pranon se lumi Rrapun ka pësuar dëmtime të shtratit dhe brigjeve të tij, duke shkaktuar erozion të tokave bujqësore, përmbytje, devijim të rrjedhjes dhe krijimin e sipërfaqeve të reja joproduktive.
Sipas dokumentit të datës 10 janar 2018, firma “Disha” informon Agjencinë e Basenit Ujor Shkumbin se, “shoqëria ka bërë të mundur sistemimin e shtratit të lumit”. Por, me fillimin e reshjeve në tetor, nëntor dhe dhjetor, procesi u ndërpre.
Sipas saj, reshjet dhe hapja e një dige sollën edhe njëherë mbushjen e shtratit të lumit. Megjithatë, “Fiks Fare” vërtetoi të kundërtën. Firma “Disha” vazhdonte të shfrytëzonte inertet pa asnjë kriter!
Top Channel