Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Greqisë kanë mbërritur përsëri në pikën më kulmore, për shkak të ishullit të shumëpërfolur Imia në detin Egje, për të cilin të dyja vendet për pak sa nuk i shpallën luftë njëra-tjetrës 22 vite më parë.
Por, e njëjta situatë përjetohet edhe orët e fundit, pasi Greqia ka përfshirë këtë ishull shkëmbor të pabanuar, bashkë me 446 zona të tjera të saj, në programin mjedisor të BE-së “Natyra 2000”.
Përmes një deklarate të ashpër, Ministria e Jashtme turke ka vënë përsëri në dyshim integritetin jo vetëm të këtij ishulli shkëmbor nga Greqia, por edhe të disa ishujve të tjerë në Egje.
“Turqia bën gabim, nëse mendon se mund të shkelë të Drejtën Ndërkombëtare në Egje pa pasoja, siç po bën në vende të tjera të botës. I rekomandojmë që të matë fjalët e saj”, ka qenë përgjigjja e Athinës.
Në këtë “luftë” deklaratash vjen dhe përgjigjja e kryeministrit turk ndaj ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos, që dy ditë më parë i ka kujtuar Ankarasë sesi u mund në Greqi në revolucionin e vitit 1821.
“Ankaraja nuk do të tolerojë kurrë të shkelen të drejtat e saj në Mesdhe dhe Egje, ndaj dhe paralajmërojmë të mos harrojnë 9 shtatorin e vitit 1922, ata që sot bëjnë jetën e piratëve në ujërat e Egjeut”, ka deklaruar Binali Yildirim.
Siç thekson e përditshmja gjermane “Die Ëelt”, marrëdhëniet e ashpra midis dy partnerëve të NATO-s kanë arritur pikën më të keqe, që kur presidenti turk po e rindërton Turqinë duke e kthyer në një shtet autoritar dhe ushtron një politikë të jashtme agresive dhe ekspansioniste.
Ndërkohë, edhe ambasadori amerikan në Athinë ka deklaruar se Greqia dhe Amerika do të përballen ndoshta me trazira nga Turqia në dy muajt e ardhshëm.
Top Channel