Besimi sfidoi diktaturën. Katolikët që “mbanin” meshë edhe gjatë komunizmit

01/04/2018 15:13

E diela e Pashkës ka mbledhur besimtarët katolikë në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet, për të ndjekur meshën e Ringjalljes së Krishtit.

Në mes tyre gjen nga ata që filluan të besojnë pas përmbysjes së regjimit komunist, por ka edhe nga ata, të cilët janë rritur me frymën e besimit, ndonëse duke i respektuar ritet fetare në fshehtësi të plotë, edhe pse e dinin se nëse do të merrej vesh, dënimi ishte i egër.

Maria Mjekaj nga Puka tregon momente të fëmijërisë së saj si besimtare.

“Besoja që e vogël, mamaja ime kishte një fotografi të virgjëreshës dhe ne e fshihnim në një arkë. E mbanim aty dhe e nxirrnim fshehurazi nga Partia e Punës dhe luteshim, e merrnim dhe e puthnim. Në ditën e madhe të Shënkollit, kur bëhet fërlik, ne mbyllnim dritaret me batanije, në mënyrë që të mos fusnin mamin apo babin në burg”, thotë Maria.

Maria respekton me fanatizëm çdo rit fetar të besimit të krishterë, madje beson dhe në mrekullitë e Zotit. Ajo tregon se ka qenë dëshmitare e shërimit të një burri të paralizuar në Kishën e Shën Antonit të Padovas, në Laç.

“Ishte paralizuar burri në shtëpi, thoshte nusja e vet. Erdhi me 3 vëllezërit dhe nusen e vet. E sollën me barrelë. Unë isha e pranishme në Kishën e Laçit. Ai është ngritur me këmbët e veta rreth orës 4 e gjysmë të mëngjesit. Fillimisht duke ecur në gjunjë e më pas u ngrit në këmbë”, thotë më tej Maria.

Pas meshës së Ringjalljes, ku besimtarët luten t’u falen mëkatet dhe të kenë mirësi në familjet e tyre, festa vazhdon me drekën tradicionale të Pashkës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA