Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dënoi ashpër në Facebook “arrestimet në mes të natës të qytetarëve të Kukësit dhe dërgimin e tyre në Tiranë”, të gjitha të kryera, sipas tij, në shkelje të të drejtave të tyre themelore.
“Veprimet e prokurorisë dhe të policisë janë të urdhëruara politikisht nga Edi Rama. Arrestimet nuk janë bërë për drejtësi, por për t’u hakmarrë, për të frikësuar dhe shantazhuar popullsinë e Kukësit dhe të Kosovës. Dënoj ashpër poshtërimin publik, fyerjet dhe përçmimin që Edi Rama po u bën qytetarëve të Kukësit dhe të Kosovës, të cilët protestojnë kundër grabitjes së dyfishtë që u bëhet dhe për të drejtat e tyre”, shkroi Basha.
“Policia dhe prokuroria janë të dorëzuara para trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar, por po keqpërdoren kundër qytetarëve që protestojnë kundër një tarife korruptive që i grabit, varfëron dhe i izolon për të pasuruar Edi Ramën dhe bandën e tij. Tarifa e Rrugës së Kombit ka vetëm një qëllim: të grabisë qytetarët për të pasuruar Edi Ramën, i cili shpërdoron dhe vjedh 200 milionë euro taksë qarkullimi cdo vit për mirëmbajtjen. Edi Rama duhet të japë llogari se pse i shpërdoron dhe nuk i përdor këto fonde për mirëmbajtjen e rrugëve. Vjedhja dhe shpërdorimi i fondit 200 milionë euro është arsyeja pse Rama vendosi tarifën nga 5 në 32 Euro në Rrugën e Kombit. Do të mjaftonte një e dhjeta e këtij fondi për këtë mirëmbajtje. Rama zhvat qytetarët me tarifën e Rrugës së Kombit për të mbuluar vjedhjen e fondit 200 milionë euro në vit”, shtoi Basha.
Kreu i PD-së theksoi se “tarifa e Rrugës së Kombit duhet të hiqet, protestuesit e arrestuar në mes të natës duhet të lirohen dhe dhunuesit e tyre duhet të ndëshkohen”.
“Partia Demokratike mbështet qytetarët dhe të drejtat e tyre dhe do jetë me ta në çdo moment”, mbyll postimin e tij Lulzim Basha.
Top Channel