Vala e dytë e dëbimeve ruse, “ikin” 50 diplomatë britanikë

31/03/2018 19:39

Vala e dytë e dëbimeve të diplomateve në Rusi po vijon. Këtë herë Moska ka dëbuar 50 diplomatë britanikë.

Rusia e vazhdon valën e saj të dëbimeve me në fokus Britaninë e Madhe. 50 diplomatëve të tjerë anglezë i është kërkuar të largohen, vala e dytë kjo e dëbimeve pasi më herët gjatë muajit 23 të tjerë u urdhëruan të lënë vendin.

Njoftimi i është përcjellë ambasadorit britanik në Moskë, Laurie Bristow. Londra zyrtare tani duhet të vendosë se cilët përfaqësues të shërbimit diplomatik apo administrativ duhet të largohen.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme britanike e cilësoi veprimin si hap vërtet për të ardhur keq. Lëvizja shpaguese e Moskës pason dëbimin e dhjetëra diplomateve ruse nga më shumë se 20 vende perëndimore. Në mënyrë të pashmangshme, pre e zemërimit të saj u bë dhe Shqipëria. Në kundërpërgjigje të largimit të dy punonjësve të ambasadës ruse në Tiranë, dy zyrtarë të stafit diplomatik të misionit tonë në Rusi, Albert Jerasi dhe Arben Doci, zëvendës-ambasador dhe këshilltar, iu kërkua të kthehen në Shqipëri.

Ambasadori i SHBA në Rusi, Jon Huntsman, i cili u thirr të enjten në ministrinë e jashtme ruse, i tha Zërit te Amerikës së ballafaqimi me Moskën nuk do të përfundojë edhe nëse Kremlini i kufizon kundër-masat në një përgjigje simetrike. Çështjet që ndajnë Perëndimin nga Lindja nuk kanë të bëjnë vetëm me helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij 33-vjeçare Yulia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA