Kryeministri Edi Rama tha se ata qe dhunuan dhe frymëzuesit e tyre do të përgjigjen para ligjit. Ai tha se do të takojë kreun e bashkisë së Kukësit, por shtoi se këshilltarët socialistë që kanë ngritur dorën për thirrjen e protestës nuk janë më pjesë e partisë.

Edi Rama iu referua Kodit Penal duke paralajmëruar nga foltorja zyrtare e Kryeministrit se askush nga dhunuesit gjatë protestës në Rrugën e Kombit nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit të ligjit.

“Zjarri i sotëm dhe dhuna barbare ndaj pronës së përbashkët dhe investimit të kryer në bazë të ligjit dhe goditja ndaj policisë janë krime të rënda, ju siguroj se këto krime do të ndëshkohen me gjithë rëndesën e forcës së ligjit. Kush e vuri atë zjarr e guxoi të ngrejë dorë mbi policinë nuk do ketë asnjë shans t’i shpëtojë shpëtimit të ligjit”, tha Rama.

Krerëve të opozitës në Tiranë, u la takim qershorin 2019, për ta marrë përgjigjen nga Kukësi përmes votës në zgjedhjet vendore.

“Fati i politikës mizerabël me benzinë në gojë e çizme në dorë është i shkruar. Kukësi nuk do të kthehet kurrë në mish për top për kartat e djegura të opozitës së këtij vendi”, u shpreh kryeministri.

Kryetarin e Bashkisë së Kukësit që i kishte kërkuar më herët dialog, pas kësaj ngjarje Kryeministri pranoi ta takonte.
Edhe me kuksianët që nuk u përfshinë në aktet e dhunës, u shpeh i gatshëm të bisedonte, për t’u shpjeguar se do të përfitojnë nga tarifat e ulta të aboneve.

Duke e quajtur protestën si të ngjizur me urdhër nga Tirana, Rama lajmëroi këshilltarët socialistë të Bashkisë Kukës që kanë ngritur dorën për thirrjen e saj, se nuk janë më pjesë e Partisë Socialiste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA