Në urimin për festën e Pashkëve, Arqipeshkvi i Shkodrës Angjelo Massafra është ndalur në lutjen për të përmbyturit dhe lutjen për shpresë për çdo njeri, që ndihet i zhgënjyer nga pritshmërit e pa realizuara politike, morale e shoqërore.
“Në veçanti ju ftoj juve familjeve që në këto kohë jeni duke vuajtur vështirësi të mëdha për shkak të përmbytjeve ju ftoj të luteni. Ju ftoj që të mblidheni në tryezën e së dielës për të konsumuar bukën e jetës së pasosur që është vetë Jezusi. Ky është ilaçi për çdo formë shkurajimi që mund të na pushtojë kur mbetemi të zhgënjyer prej pritshmërive të pa realizuara të çdo lloji, politik, shoqëror, moral”, u shpreh Angjelo Massafra.
Por ndërkohë, besimtarët e krishterë pas kryerjes së ritualeve tani janë gati të presin ne një atmosferë festive Pashkët. Ato tregojnë se pas udhëtimit me vuajtjen e Jezu Krishtit vjen dhe përgatitja e vezëve të ngjyrosura që janë simbol i kësaj feste.
Ndërkohë në Katedralen Shën Shtjefni në Shkodër do mbahet sonte dhe mesha e Pashkëve.
Top Channel