Nuk ka vonuar hakmarrja e Rusisë, pas solidarizimit të Perëndimit me Britaninë e Madhe, në dëbimin e diplomatëve rusë, si kundërpërgjigje për implikimin e Moskës në helmimin e një ish spiuni në Mbretërinë e Bashkuar.
Kremlini njoftoi të enjten dëbimin e 150 diplomatëve perëndimorë dhe mbylljen e Konsullatës Amerikane në Shën Peterburg. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov deklaroi se kishte lajmëruar ambasadorin e SHBA-ve për largimin e 60 diplomatëve nga Rusia, po aq sa dëboi Uashingtoni, i cili mbylli edhe Konsullatën Ruse në Siatëll.
Menjëherë më vonë, 58 diplomatë në Moskë e dy në qytetin e Yekaterinburg u shpallën persona non grata. Sipas Ministrisë së Jashtme, Moska do të kundërpërgjigjet ndaj secilit vend që mori masa kundër saj, duke larguar po aq diplomatë.
Më shumë se 20 vende kanë dëbuar përfaqësues të inteligjencës ruse, pasi Britania e Madhe akuzoi haptazi Moskën për përfshirje në helmimin me agjent nervor, të ish spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia, në 4 Mars.
Fushatës iu bashkua edhe Shqipëria, e cila pasi thirri ambasadorin rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, urdhëroi largimin nga vendi ynë të dy diplomatëve, sekretari i parë i ambasadës, Aleksey Balashov dhe Vladislav Filippov, atasheh ushtarak. Ambasadori reagoi pas këtij vendimi dhe kërkoi shpjegime se pse ishin bërë publike, emrat e diplomatëve të dëbuar.
Top Channel