Nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku është takuar me disa tregtarë të vegjël në kryeqytet, të cilët iu shmangën identifikimit – siç thuhet, – nga frika prej tatimorëve, për t’u njohur më nga afër me gjendjen e rëndë financiare të tyre për shkak të rritjes së taksave dhe përfshirjes së tyre në skemën e TVSH-së.
Nga 1 prilli, atyre do t’iu rriten kostot, do t’iu ulet fitimi, e kësisoj shumë prej tyre janë në rrezik falimentimi, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga zyra e Shtypit e PD-së mbi këtë takim.
Arsyet e situatës në prag të falimentimit, sipas bizneseve janë taksa e Bashkisë së Tiranës për shkollat, që e paguajnë brenda një njësie bashkiake tri herë; rënia e xhiros me 30% çdo vit; rënia e fuqisë konsumatore dhe emigrimi i qytetarëve, që që çojnë në më pak blerje e fitim; si dhe barra e re e përfshirjes në TVSH.
Tregtarët janë ankuar edhe për taksën e “Rrugës së Kombit”, pasi sipas tyre do të dëmtohen importet, por edhe fuqia blerëse nga zonat veriore të vendit, që mund t’i drejtohen tashmë qyteteve më të afërta në Kosovë, si Prizreni e Gjakova.
Deputetja demokrate Tabaku theksoi se ky është realiteti, me të cilin përballen shqiptarët sot.
“Jemi përpjekur që të bisedojmë me bizneset që preken nga ndryshimet e taksave, që hyjnë në fuqi më 1 prill. TVSH-ja e biznesit të vogël, që fillon nga pragu 2 milionë lekë, taksa e re e pronës dhe tarifa e ‘Rrugës së Kombit’. Bizneset në këtë treg preken në mënyrë masive nga të treja. Po të shikoni, pothuajse gjysma e bizneseve kanë mbyllur qepenat. Bizneset, që nga janari kanë pasur qiranë e rritur nga 30 deri në 50%, si rezultat i rritjes së taksës së pronës dhe nga tarifa e ‘Rrugës së Kombit’, sepse një pjesë e madhe e të gjithë blerësve te bizneset vijnë nga vendet, të cilat duhet patjetër të kalojnë në ‘Rrugën e Kombit’. Ka rënie të konsumit. Bizneset më thonë se konsumatorët blejnë më pak. Është prekur nga emigracioni, sepse një pjesë e madhe e blerësve të këtij tregu kanë qënë nga ajo shtresë, që tashmë ka emigruar. Duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të energjisë, rritja e taksës së tatim-fitimit deri në 15%, tatimin mbi dividentin që e kanë shtuar këtë vit për bizneset që konsiderohen si më të mëdha. Ka rritje masive të përgjithshme të shpenzimeve që shkojnë për taksa. Në fund të ditës, në xhepin e biznesit mbetet 15% e të gjithë zhiros së biznesit, që është vetëm për të mbuluar shpenzimet për mbijetesë. Kjo është shprehja që të gjitha bizneset kanë thënë: Jemi në kushtet e mbijetesës”, theksoi Tabaku.
Rritja e taksave dhe vendosja e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së janë kundërshtuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Dhoma amerikane e Tregtisë, Shoqata e Biznesit të Vogël shqiptar, si një skemë falimentuese, shkruhet më tej në komunikatë. Rritja e taksave për biznesin e vogël vjen paralelisht me uljen e taksave “për miqtë dhe klientët e Edi Ramës”, të cilët me hotelet e tyre me 5 yje do të paguajnë zero tatim-fitim dhe 6 për qind TVSH.
Top Channel