Hakmarrja për diplomatët, SHBA: Rusia të mos bëjë viktimën

30/03/2018 08:57

Vendimit të Moskës për të dëbuar 60 diplomatë amerikanë, Departamenti i Shtetit iu përgjigj përmes zëdhënëses Heather Nauert.

“Rusia nuk ka përse bën viktimën në këtë situatë, – u shpreh ajo. – Ne nuk shohim këtu arsye për një reagim me të njëjtën monedhë”.

Diplomatët, 58 nga të cilët i përkasin misionit amerikan në Moskë, u shpallën persona “non grata” për aktivitete të papajtueshme me statusin diplomatik.

Ky ishte shpjegimi i dhënë nga Ministria e Jashtme ruse, që thirri ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jon Huntsman, për t’i bërë të ditur vendimin.

Në vazhdën e përplasjes, që sa vjen e rritet, mes Rusisë dhe Europës e Shteteve të Bashkuara, në anën tjetër, Kremlini njoftoi të enjten se do të dëbojë 150 diplomatë perëndimorë dhe se do të mbyllë Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Shën Pjetërburg.

Veprimi i tij vjen si shpagim ndaj largimit të më shumë se 150 zyrtarëve rusë nga vende të tjera, një reagim ky ndaj sulmit me agjent nervor në tokën britanike, për të cilin Londra dhe aleatët e saj fajësuan Moskën.

Kriza lidhur me helmimin e një ish-agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij ka nxitur tensione mes Kremlinit dhe Perëndimit, në nivelin më të lartë në dekada. Reagimet hakmarrëse, sipas “Zërit të Amerikës” ngrenë dyshimet mbi një përshkallëzim të mëtejshëm e më serioz, qoftë ky publik, apo i fshehtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA