Gulen te Rruga e Kombit? Turqia i kërkonte Shqipërisë dëbimin e organizatës

30/03/2018 20:02

Në vitin 2016, pak muaj pas grushtit të shtetit në Turqi, në Shqipëri diskutohej se kush do të fitonte tenderin për koncesionin në Rrugën e Kombit.

Nga Ministria e Transporteve ishte përzgjedhur konsorciumi “Vendeka”, një kompani turke, e cila siç mësoi Top Channel në shtator të vitit 2016 ishte përfshirë në një letër “non paper”, pra një letër pa kokë, pa vulë dhe pa firmë, në të cilën nominalisht akuzohet një konsorcium turk.

Letra dhe takimet e diplomatëve turq thuhet se kanë ardhur në kohën që “Vendeka” kishte fituar këtë tender dhe në vazhdën e kërkesave të vazhdueshme të Ankarasë ndaj Tiranës për frenim, kontroll dhe mundësisht përzënie të interesave të Gulenit nga Shqipëria.

Top Channel raportoi në atë kohë se letra e autoriteteve turke për qeverinë shqiptare kishte akuzat për firmën “Vendeka”, që kanë qenë të detajuara dhe kanë marrë vëmendjen e qeverisë. Letra akuzonte lidhjet e pronarit të “Vendeka Bilgi Teknolojieri”, Ismail Meral, me Fethullah Gulen dhe organizatën e tij “FETO”, të cilësuar si terroriste nga ky dokument.

I njëjti dokument, dorëzuar autoriteteve shqiptare, citon emrin e Baki Kuran, drejtorit të përgjithshëm të “Vendeka”-s, si pjesëmarrës në ceremoninë e zhvilluar në Filipine, në shtator të vitit 2013, ku Fetullah Gulen mori çmimin si kontributor për paqen.

Akuza më e rëndë e dokumentit të Ankarasë ishte për Husein Kizmaz, drejtor i Rajonit të Paqësorit për firmën “Vendeka”, i cili akuzohet nga ky dokument si personi që ka blerë kamerat, me të cilat u spiunuan djemtë e Erdoganit dhe të afërm të tij, që të përdoreshin për planet e organizatës “FETO” të Gulenit dhe aksionet e saj intimiduese.

Pas kësaj letre ndodhi që fituesi i tenderit për rrugën Durrës-Kukës, u shpall një konsorcium shqiptar, pasi tenderi i parë u anulua dhe “Vendeka” doli jashtë loje. Letra turke përmbante edhe shqetësime të tjera, ndërsa vetë Erdogan i kërkoi Shqipërisë kujdes me organizatën “Feto”.

Shqetësimi turk lidhej edhe me numrin e madh të shkollave, që sipas tyre financohet nga organizata gyleniste, gjithashtu edhe disa biznese, deri edhe banka që ndodhen në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA