Partia Demokratike ka reaguar për zëvendësimin e Alket Hysenit si relator në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme, duke u shprehur se deputeti socialist po i shmanget përballjes me akuzat.
“Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, i kapur në flagrancë me aferën e grabitjes së 11 mijë metrave tokë në bregdetin e Dhërmiut, është shmangur sot nga përballja me akuzat duke braktisur Komisionin e Ligjeve.
Hyseni, i cili është denoncuar zyrtarisht nga familja Bua për vjedhjen e pronës, ishte përcaktuar si relator në Komisionin e ligjeve për ligjin e Prokurorisë së Përgjithshme, bazuar në ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD.
Deputetët e këtij Komisioni, janë njohur në fillim të diskutimit të këtij drafti se relator nuk do të ishte më Alket Hyseni, por deputeti tjetër socialist Bledi Çuçi.
Vetë deputeti i Ramës, akuzuar për aferën e grabitjes së pronave në Dhermi, ka dhënë tjetër një provë të mospërballjes me të vërtetën dhe ka braktisur mbledhjen sapo ka nisur diskutimi ku ai ishte përcaktuar si relator, pra për ligjin e Prokurorisë së Përgjithëshme.
Kjo fakton në njërën anë akuzat e ngritura nga familja Bua në Dhërmi, por sidomos frikën e Alket Hysenit për t‘u përballur me akuzat e grabitjes së pronës”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
Top Channel