Tragjedia e Kemerovos, Putin: Neglizhencë kriminale, mungesë organizimi

27/03/2018 10:15

Vladimir Putin e cilësoi tragjedinë e Kemerovos si rezultatin e një neglizhence kriminale dhe mungesës së organizimit.

“Çfarë ndodhi këtu?”, pyeti presidenti rus gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, ku vendosi një kurorë me lule.

“Kjo nuk është luftë, nuk është shpërthim i papritur gazi metan. Njerëzit erdhën të qetësohen dhe fëmijët të luajnë. Si mundi të ndodhte një gjë e tillë”, shtoi ai.

Pesë persona janë arrestuar pas përfshirjes së qendrës tregtare “Qershia e dimrit” nga flakët, që iu morën jetën 64 personave, 41 nga të cilët fëmijë.

Hetuesit thonë se alarmi i zjarrit ishte fikur dhe daljet e emergjencës kanë qenë të mbyllura. Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” raportoi se, rreth 300 vetë u mblodhën përpara zyrave të autoriteteve lokale, duke kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve.

Shkaku i zjarrit nuk është zbardhur ende, por Komiteti Hetimor rus foli për shkelje serioze, e tha se personi përgjegjës për sigurinë nga zjarret në kompleks e ka fikur alarmin pasi është njoftuar për shpërthimin e flakëve.

Shumë prej fëmijëve ishin duke luajtur pa prindërit në pjesën e sipërme të ndërtesës, aty ku nisi zjarri, e nga sa shkruan në Facebook politikani vendas, Anton Gorelkin, mbyllja e daljeve të emergjencës e ka kthyer vendin praktikisht në një kurth të madh, ku nuk pati asnjë përpjekje për evakuim të organizuar.

Hetuesit po kështu kanë dalë në përfundimin se fikëset e zjarrit, të cilat mund të ishin përdorur për të fashitur flakët sapo ato kishin filluar, nuk funksiononin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA