Kryeministri Edi Rama bëri të ditur në një takim me fermerët e Librazhdit, se ashtu si legalizimi i ndërtesave të ndërtuara në tokë shtetërore, do të veprohet me tokat shtetërore që janë mbjellë tashmë me pemë të ndryshme.
“Ajo që unë po insistoj me ministrin e Bujqësisë është që ne i kemi dhënë legalizim njerëzve që kanë ndërtuar shtëpi, ndërkohë që tokat shtetërore të lira ne i vëmë në dispozicion të sipërmarrësve dhe i themi hajde merrini me qira 1 euro dhe mbilleni që këtu këto toka janë mbjellë. Për të shkuar e për ti prerë me sharrë këto pemë është pa logjikë. Atëherë ajo që po bëjmë është të përgatisim një formë pronësie, marrje në përdorim, po po punoj të njihet e drejta atyre që i kanë mbjellë, punojnë, kultivojnë dhe me to jetojnë, sepse në fund të fundit këtë po kërkojmë dhe ne”, tha Rama.
Ai shtoi se bujqësia ka dy realitete, suksesi ku njerëzit fitojnë dhe varfëria e njerëzve që presin nga qielli.
“Në bujqësi ne kemi dy realitete, një realitet suksesi ku njerëzit fitojnë para, nuk janë të varfër, dhe një realitet varfërie ku njerëzit rijnë dhe shikojnë qiellin se çfarë do sjelli po e solli. Nuk ka arsye të ketë varfëri në fshat nëse ne jemi të qartë të organizuar dhe bashkëpunojmë. Shteti nuk mund të vijë të bëjë punën tuaj”, tha Rama.
Ai u kërkoi fermerëve të bashkohen në shitjen e prodhimeve, për të mos hedhur poshtë prodhimet e tyre, dhe për të përthithur sa më mirë fondet e BE-së për bujqësinë. Ai i siguroi ata se përgjigjet e aplikimeve nuk do të jenë me parti apo ryshfet, por në bazë të kritereve të qarta.
“Mos kini asnjë dyshim, koha do ta tregojë, që përgjigjet për aplikimet do të jenë korrekte, nuk do të ketë përgjigje me parti, nuk do të ketë përgjigje me ryshfet, po në bazë të drejtësisë që do të vendosë vlerën e një aplikimi me kritere të qarta e transparente. Ne duam që këto para të mund t’i thithim të gjitha dhe të bëjmë sukses. Shoqëritë e bashkuara nuk janë më subjekt i TVSH-së, nuk ka më detyrimin që ri nën 8 milionë se ndryshe të kap TVSH-ja”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se për agroturizmin, si një program i ri në vend, është shtyrë aplikimi me një muaj, për shkak të kërkesave të larta.
“BE vërtetë jep lek, po lekë qyl nuk ka. Ti marrësh këto para, duhet ti përdorësh të kesh projekt të qartë, dhe të kesh argumenta të plotë për të marrë financimin. Nga ana tjetër, është shtyrë një muaj aplikimi për agroturizmin, sepse ka interesim dhe ne kemi qenë pak më të vonuar në kohë, pasi është një program i ri i qeverisë së re, kush ka një strukturë që do ta kthejë në agroturizëm, në bujtinë, të ketë mundësi të aplikojë”, tha ai.
Top Channel