Reforma e administratës, Mesi: Larg politizimit, parakusht për qeverisjen transparente

27/03/2018 11:50

Zv.kryeministrja Senida Mesi ka zhvilluar seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të Integrimit Europian për reformën në administratën publike, si një nga pesë prioritetet kyçe në rrugën drejt integrimit europian.

“T’i qëndrojmë larg politizimit e instrumentalizimit politik të interesave partiak, por të ngrihemi mbi axhendat tona partiake, drejt unitetit të qëllimit: një administratë publike funksionale e me standarde evropiane si parakusht për një qeverisje demokratike, transparente dhe efektive. Raporti i fundit i Komisionit Evropian, ka vërejtur përparime në reformën për administratën publike; SIGMA gjithashtu, e rëndit Shqipërinë në vendet e rajonit me progres më të lartë”, është shprehur Mesi.

Ajo informoi se në 2017-të, kemi hartuar Planin e Ri të Veprimit të Strategjisë për periudhën 2018-2020. “Vlejnë të theksohen arritjet në kuadër të implementimit të ligjit për shërbimin civil, përmirësimit të procedurave të rekrutimit, zhvillimit në karrierë dhe mundësive të promovimit brenda administratës. Gjithashtu, ka patur zhvillime të konsiderueshme lidhur me thjeshtimin e procedurave administrative dhe mbikëqyrjen, në kuadër të Reformës së Deregullimit, e cila bazohet tek inovacioni dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit në drejtim të ofrimit të shërbimeve elektronike”, vijoi zv.kryeministrja.

Shqipëria, sipas saj, ka bërë progres të dukshëm në reformën e administratës publike edhe në raport me rajonin. Ajo bëri dhe një apel: “Prandaj le të bashkojmë forcat për të çuar përpara reformat transformuese që do të përshpejtonin e çeljen e negociatave – nuk kemi të bëjmë me anëtarësim të PS apo PD apo LSI – por të të gjithë vendit dhe padyshim çdo qeveri ka pasur meritat e të metat e saj sa i takon këtij procesi e rruge të gjatë të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA