Gjatë vizitës zyrtare në Maltë kreu i shtetit Ilir meta është takuar me kryeministrin Joseph Muscat.
Presidenti Meta dhe Kryeministri Muscat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve në këtë përvjetor të 45-të dhe nënvizuan mundësitë për për t’i intensifikuar më tej ato, veçanërisht në fushat ekonomike dhe kulturore.
Meta tha se Malta mbetet një mbështetëse e fortë e perspektivës evropiane të Shqipërisë, duke shprehur besimin se përkrahja e saj nuk do të mungojë dhe procesin e rëndësishëm e të shumëpritur të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Kreu i shtetit shprehu interesin për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, duke nisur sa më shpejt me krijimin e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik, me fokus sektorët si turizmi, energjetika, infrastruktura, sektori finaciar, teknologjia e informacionit, industria detare dhe logjistika portuale etj.
Ai ftoi kompanitë malteze të eksplorojnë potencialet investuese të Shqipërisë, e cila mund të shërbejë edhe si një portë hyrëse për zgjerimin e biznesit së tyre në rajonin e Ballkanit.
Gjithashtu, Presidenti Meta dhe Kryeministri Muscat ndanë të njëtin qëndrim që Shqipëria dhe Malta kanë potencial bashkëpunimi edhe në projekte të përbashkëta në kuadër të programit transnacional të BE-së Mediterranean 2014-2020, në fushën e inovacionit, turizmit, mjedisit, transportit detar etj.
Top Channel