Shoferët ankohen në “Fiks Fare”, policia: Licencat e bashkisë, të jashtëligjshme

26/03/2018 21:47

Bashkia e Himarës dhe Ministria e Transportit licencojnë njëkohësisht kompani për të njëjtat linja interurbane, ndërkohë që shoferët e Himarës përplasen me policinë.

Shoferët ankohen në “Fiks Fare” se policia nuk i lejon të dalin në punë, pasi deklaron se licencat e dhëna nga Bashkia janë të jashtëligjshme. Sipas tyre, bllokimi ka nisur në muajin shkurt të këtij viti dhe askush nuk u ka dhënë shpjegime, ndërkohë që ata kanë paguar të gjitha detyrimet ndaj institucioneve shtetërore.

Pas ankesës së tyre, “Fiks Fare” u interesua në Komisariatin e Policisë së Sarandës, që deklaroi se licencat e lëshuara nga Bashkia e Himarës janë të jashtëligjshme, pasi për linjat interurbane licencat i lëshon vetëm Ministria e Infrastrukturës. Madje, për këto licenca, policia ka referuar materialet në prokurori për shpërdorim detyre ndaj punonjësve të Bashkisë Himarë.

Për këtë arsye, “Fiks Fare” pyeti edhe kryetarin e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, i cili tha se pasi janë vënë në dijeni nga policia për këtë përplasje për linjat e Himarës, Borshit dhe Lukovës me Sarandën, është bërë pezullimi i licencave të lëshuara nga Bashkia e Himarës dhe po punohet për zgjidhjen e kësaj çështje. Megjithëse, shoferët pretendojnë se askush nuk i ka njoftuar për pezullimin e tyre.

Po ashtu, “Fiks Fare” pyeti edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për këtë përplasje.
Ministria deklaroi që me ndryshimin e ligjit, linja Himarë-Sarandë-Himarë është përzgjedhur me konkurs të hapur, ku janë paraqitur dy subjekte, “City Himara” dhe “Kosta Bala” Sipas ministrisë, subjekti Kosta Bala u skualifikua, pasi konkurroi si person fizik dhe jo si person juridik dhe u zgjodh City Himara, e cila është pajisur me licencë më 28 gusht 2017.

Pas këtij informacioni, Bashkia Himarë tha se kjo çështje është diskutuar edhe në Këshillin e Qarkut Vlorë, jo vetëm për Bashkinë Himarë, por edhe Bashki të tjera që kanë fshatra që lidhen me Bashkinë e Sarandës.

Më 21 mars, Këshilli i Qarkut ka miratuar disa linja të reja rrethqytetase dhe pas miratimit të vendimit të këshillit nga Prefektura do të rinisë procedura për licencimin e shoferëve. Por, kryebashkiaku i Himarës tha se në këto licenca të reja, nuk do përfshihet linja Himarë-Sarandë dhe Himarë-Vlorë, pasi kjo linjë i mbetet asaj të dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transporteve.

Pra, pas ngritjes së shqetësimit në Fiks Fare, Bashkia ka arritur të gjejë një zgjidhje të pjesshme për shoferët, të cilët prej dy muajsh nuk lejohen të punojnë dhe së shpejti mund të rimarrin disa prej licencave të pezulluara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA