Ambasadorët rusë janë thirrur për shpjegime nga disa prej dikastereve europiane të Punëve të Jashtme, mes raportimeve për dëbime të paevitueshme të diplomatëve rusë prej këtyre vendeve.
Udhëheqësit e BE-së ranë dakord javën e kaluar se, me shumë gjasë Rusia fshihet pas helmimit të ish-spiunit rus dhe vajzës së tij në Britani. Blloku europian tërhoqi të dërguarin e tij në Moskë.
Të hënën, Letonia, Lituania, Estonia dhe Polonia thirrën ambasadorët rusë në ministritë respektive të Jashtme, kanë njoftuar zyrtarë të këtyre vendeve.
Një këshilltar i ministrit të Jashtëm lituanez konfirmoi për BBC-në se qeveria kishte marrë në pyetje ambasadorin rus në Vilnius.
Ende nuk është dhënë asnjë arsye për këtë veprim diplomatik, por një numër gjithnjë e më i madh vendesh anembanë BE-së, priten të dëbojnë diplomatët rusë gjatë kësaj jave, për shkak të helmimit të Sergei Skripalit dhe vajzës së tij Yulia, më 4 mars në Salisbury të Anglisë. Viktimat e atij sulmi mbeten ende në gjendje kritike, por të qëndrueshme sipas raporteve, në spital.
Deklarata zyrtare nga qeveritë europiane pritet të publikohen pasditen e kësaj të hëne. Rusia, gjithsesi, mohon prej kohësh të ketë lidhje me këtë sulm.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk tha në përfundim të një samiti të bllokut gjatë së premtes se, më shumë sesa një vend do të dëbojnë diplomatët rusë, “por nuk besoj se do ta ndjekë i gjithë blloku këtë nismë”.
Britania dëboi 23 diplomatë rusë javën e kaluar, të cilët i konsideroi si spiunë, pas sulmit me agjent nervor. Rusia iu kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e dëbimit të diplomatëve rusë, siç i është rekomanduar nga Këshilli për Sigurinë Kombëtare, bëjnë të ditur mediet amerikane. Për këtë raportim, edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka kërcënuar se do të përgjigjet po njësoj.
Të hënën, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së janë takuar në Bruksel për të diskutuar se cilat masa diplomatike kundër Rusisë mund të ndërmarrin vendet individualisht.
“Vendimmarrja është në duart e vendeve anëtare, por do të bëhen nën kornizën europiane, e do të jenë vendime në nivel kombëtar”, tha zëdhënësja e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini.
Mes 28 vendeve anëtare të BE-së ka përçarje sesa larg duhet të shkojnë masat hakmarrëse kundër Rusisë. Austria është njëri prej vendeve që ka përjashtuar dëbimin e diplomatëve.
Top Channel