Në Shëndëlli, fshatin e krijuar dy dekada më parë prej mirditorëve, pranë liqenit të Butrintit, 35 familje jetojnë prej artizanatit dhe punimeve në dorë.
Që prej vitit 2004, me çeljen e dyqanit të komunitetit brenda parkut kombëtar të Butrintit, artizanëve u erdhi në ndihmë një projekt i Bankës Botërore që të përsosin cilësinë e suvenirëve dhe t’i përshtatin ato për tregun turistik.
Age Gjonaj ka mësuar të thurë çorape me motivet e Mirditës, që kur ishte fëmijë dhe sot shitja e punimeve me qëndisje i siguron të ardhurat në familje. Pjetër Përkeqit i është njohur zyrtarisht patenta e shpikjes artizanale për të risjellë në miniaturë në gur e dru mozaikët e Butrintit.
Njësia e shitjes së komunitetit funksionoi deri në vitin 2013 me një shitës që përfitonte 5% të vlerës së objekteve. Më pas të paktën 10 artizanë filluan të tregtojnë suvenire në Butrint çka ndryshoi edhe mënyrën e menaxhimit të kësaj njësie.
Në vitin 2016 një udhëzim i Ministrisë së Kulturës kërkoi vendosjen e standardeve për objektet që tregtoheshin brenda parkut duke krijuar këndin suvenire-art-libra. Pas këtij momenti artizanët thonë se janë penguar të tregëtojnë lirisht. Për 2018 Ministria fillimisht sugjeroi krijimin e një hallke lidhëse mes artizanëve dhe tregut, një kompani private që do të grumbullonte dhe shiste këto produkte, gjë që u kundërshtua nga artizanët.
Shërbimi që do të shkëputet prej këndit SAL këtë vit është tregtimi i pijeve dhe ushqimeve. Megjithë debatet që përfshinë për muaj me radhë ndërtimin e një njësie për tregtimin e ushqimit dhe pijeve brenda parkut të Butrintit, objekti duket se ka përfunduar dhe do të vihet shpejt në funksion përgjatë sezonit turistik.
Top Channel