Presidenti Donald Trump firmosi të premten urdhrin që ndalon trupat transgjinore, të cilët kanë nevojë për operacione apo trajtime të konsiderueshme mjekësore, të shërbejnë në ushtri, me përjashtim të disa rasteve specifike. Në këtë mënyrë, ai ndjek një prej angazhimeve më kontroverse të vitit të kaluar, i cili ka qenë edhe nën shqyrtim nga Pentagoni, e që po luftohet edhe përmes rrugëve ligjore nëpër gjykata.
Memorandumi, që mori edhe dënimin e shpejtë të grupeve të të drejtave të njeriut, thekson se, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes apo zyrtarë të ndonjë krahu tjetër ekzekutiv do të mund të kenë liri veprimi në implementimin e kësaj politike, “personat me një histori apo diagnoza të disforisë gjinore, përfshi këtu edhe individët për të cilët politikat shtetërore mund të kërkojnë edhe trajtim thelbësor mjekësor, si operacionet, do të jenë të skualifikuar nga shërbimi ushtarak, me përjashtim të disa rasteve në rrethana rreptësisht të kufizuara”.
Në memo thuhet gjithashtu se Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, “në ushtrimin e gjykimit të tij të pavarur ka dalë në përfundimin se kjo politikë duket të adoptohet nga Departamenti i Mbrojtjes”. Gjithashtu shtohet se “Sekretari i Sigurisë Kombëtare pajtohet me këto politika në respekt të plotë ndaj Rojes Bregdetare amerikane”, që gjithashtu mund të preken nga kjo politikë e re e Trumpit.
Vendimi vjen pasi një sërë zyrtarësh të lartë ushtarakë vitin e kaluar, përfshi edhe pjesën më të madhe të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm, dolën hapur në mbrojtje të mijëra trupave transgjinore që besohet se shërbejnë aktualisht në ushtri.
Top Channel