Spanja kërkon ekstradimin e Puigdemont, tension në Katalonjë

24/03/2018 21:11

Autoritetet finlandeze morën urdhër-arrestin e lëshuar të premten nga Spanja për ish-liderin katalanas Carles Puigdemont, një ditë pas mbërritjes së tij në këtë vend.

Puigdemont u zhvendos në Finldandë nga Belgjika, ku ka jetuar në ekzil që prej referendumit të paligjshëm për pavarësi, i mbajtur në muajin tetor. Tensionet në rajon janë shumë të larta dhe liderët separatistë braktisën planet për të emëruar një president të ri, pas arrestimit të një prej kandidatëve, Jordi Turull. Turma protestuesish u përplasën me policinë në Katalonjë mbrëmjen e së premtes, pasi Gjykata e Lartë spanjolle vendosi për gjykimin e 25 politikanëve katalanas, nën akuzën e rebelimit dhe mosbindjes ndaj shtetit.

Dënimet mund të arrijnë deri në 30 vite burg. 5 zyrtarët do të burgosen në pritje të procesit gjyqësor lidhur me përfshirjen në referendumin e paligjshëm të pavarësisë në muajin tetor. Avokati i Puigdemont, i cili mbërriti në Finlandë të enjten, tha se ish-Presidenti do të bashkëpunojë me autoritetet finlandeze dhe se nuk i ishte larguar drejtësisë spanjolle.

Vendimet e Gjykatës së Lartë të premten konsiderohen si goditja më e fortë deri më tani ndaj lëvizjes së pavarësisë. Gati i gjithë lidershpi përballet tani me një betejë të madhe ligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA