Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, John Bolton do të zëvendësojë zyrtarisht gjeneralin H.R. McMaster si këshilltar i Sigurisë Kombëtare, lëvizja më e fundit kontroverse e Donald Trumpit.
“Tani jam vërtet e shqetësuar”, shkroi në “Twitter” ish-pjesëtarja e stafit të Obamës, Megan Stifel.
Arsyeja është e thjeshtë. Ish-ambasadori amerikan në OKB, me këndvështrimin e tij “prej fajkoi” ndaj Koresë së Veriut, Irakut e Sirisë – siç thotë CNN, – e merr postin në një kohë kur tensionet me Penianin po shfryhen dhe bisedimet mes udhëheqësve të të dyja vendeve mund të mbahen shumë shpejt.
Bolton e merr zyrtarisht detyrën më 9 prill. Vijën e fortë të diplomatit amerikan, të emëruar në OKB nga ish-presidenti George W. Bush, e ka provuar edhe Kosova, ndaj Pavarësisë së të cilës ai ka qenë haptazi në të kaluarën një zë kundër.
Në vitin 2008, së bashku me ish-ndihmëssekretarin e Mbrojtjes, Peter Rodman, dhe ish-Sekretarin e Shtetit, Lawrence Eagleburger, Bolton publikoi një letër te “Washington Times”, ku shprehej shqetësimi mbi atë që konsiderohej nxitim i ekipit të politikës së jashtme të Bushit për të inkurajuar shpalljen e njëanshme të Pavarësisë së Kosovës.
Sipas tyre, një hap i tillë nuk ishte në interes të Shteteve të Bashkuara dhe përbënte një provokim të panevojshëm për Rusinë. Duke e konsideruar një vend të zhytur në korrupsion dhe me një ekonomi që nuk do të ngrihej kurrë në këmbë, ata parashikuan se Kosova do të mbetej një shtet jofunksional dhe një problem i përhershëm për Amerikën.
Madje, edhe më pas, Bolton ka deklaruar se Kosova do të nxisë ekstremizëm islamik në Europë dhe se mëvetësia e saj përbën rrezik për stabilitetin e Ballkanit.
Top Channel