Agjentë të shërbimeve sekrete ruse dhe diplomatë rusë do të dëbohen nga Bashkimi Europian gjatë javës së ardhshme, si reagim ndaj përdorimit të agjentit nervor në Salisbury, gjë që nga presidenti francez Emmanuel Macron u përshkrua si një sulm ndaj integritetit europian.
Të paktën 10 anëtarë të Bashkimit Europian do të urdhërojnë zyrtarët rusë të largohen nga vendet e tyre. Pritet gjithashtu, që në javët në vazhdim të rritet edhe më shumë numri i vendeve europiane që po i përgjigjen thirrjes së Mbretërisë së Bashkuar për aksion.
“Ajo që ndodhi në Britaninë e Madhe nuk ishte parrë kurrë. Ishte një agresion ndaj sigurisë dhe sovranitetit të një aleati, që kërkon reagim”, deklaroi Macron në fund të samitit europian, ku udhëheqësit e BE-së ranë dakord se ka shumë mundësi, që sulmi ndaj ish-agjentit Sergei Skripal të jetë vepër e Moskës.
Franca dhe Gjermania ishin vendet e para që mbështetën Britaninë e Madhe, e Kancelarja Angela Merkel deklaroi se duhen marrë masa të tjera ndaj Moskës, veç tërheqjes së ambasadorit të BE-së nga atje.
Mes vendeve që po përgatiten të dëbojnë diplomatët rusë janë Franca, Gjermania, Polonia, Irlanda, Holanda, Estonia, Letonia, Lituania, Bullgaria, Republika Çeke dhe Danimarka.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk tha se Rusia e ka ulur veten në një nivel që BE-ja s’mund ta ndjekë kurrë. “Megjithëse ka interesa të ndryshme mes vendeve anëtare me Rusinë, e jo të gjithë do të marrin masa, – deklaroi Tusk, – reagimi i bllokut do të jetë i paprecedentë”.
Top Channel