Policia vrau të dyshuarin që kishte qëlluar më herët 3 persona, në një sulm të armatosur të ndodhur në jug të Francës. Agresori i armatosur kishte vjedhur një makinë e më pas mori disa pengje në një supermarket të qytetit Trèbes.
Personi në fjalë, i identifikuar nga ministrat francezë si 26-vjeçari Redouane Lakdim, thuhet t’i kishte premtuar besnikëri grupit të Shtetit Islamik. Ai besohet të ketë vrarë dhe plagosur viktimat e tij gjatë një “argëtimi qitjeje” në disa incidente të veçuara, që nisën në Carcassonne, 15 minuta larg Trèbesit.
Ai thuhet të ketë qenë i armatosur rëndë dhe kishte kërkuar lirimin e Salah Abdeslamit, të dyshuarit më të rëndësishëm të mbetur gjallë nga sulmet e 13 nëntorit të vitit 2015 në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona të pafajshëm.
Më herët, kryeministri Edouard Philippe tha se, të gjitha shenjat të çonin drejt një “akti terrorist”. Agresori nisi të shtënat e tij në Carcassonne, thuhet nga raportimet e medieve, ku kishte vjedhur një automjet duke vrarë një pasagjer dhe duke plagosur drejtuesin e mjetit. Më pas, ai qëlloi e plagosi një polic, i cili po vraponte me kolegët e tij.
I dyshuari, i pajetë tashmë, kishte udhëtuar për pak kilometra drejt Trèbesit, ku mes britmave “Jam një ushtar i DAESH-it (Akronim i Shtetit Islamik në gjuhën arabe) mori disa pengje në supermarketin “Super U” në qytezën e vogël jugore franceze.
Qindra oficerë policie u dërguan menjëherë në vendngjarje, e përreth saj u krijua perimetri i sigurisë. Në këtë moment, një oficer xhandarmërie 45-vjeçar doli vullnetar të shkëmbehej me një prej pengjeve, thonë disa raportime. “Ai la telefonin e tij të hapur gjatë operacionit, në mënyrë që policia të mund të monitoronte situatën”, njoftoi më tej ministri i Brendshëm Gerard Collomb për reporterët.
Kur policia dëgjoi të shtëna nga telefoni, ata u futën në aksion për të marrë nën kontroll situatën, aksion gjatë të cilit agresori u qëllua për vdekje. Oficeri i Xhandarmërisë, një nënkolonel i përshkruar nga ministrat si një hero, mbeti i plagosur.
I dyshuari ishte me origjinë marokene dhe i njohur nga shërbimet sekrete franceze, shtoi më tej Collomb. “Ai njihej për disa krime të vogla. E kishim nën monitorim, por nuk mendonim se ishte radikalizuar”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Tashmë, hetimin po e udhëheqin prokurorët e antiterrorizmit. Franca është goditur disa herë nga sulme vdekjeprurëse xhihadiste që prej vitit 2015, e mbetet ende në gjendje të lartë gatishmërie prej atëherë. Gjithsesi, emergjenca shtetërore e vendosur që prej sulmeve të vitit 2015 në Paris, u hoq vetëm në muajin tetor të vitit 2017.
Në shkurt të këtij viti, Salah Abdeslam doli në gjyq në Belgjikë për ngjarjet e ndodhura në Bruksel, aty ku ai u kap disa muaj pas sulmeve të Parisit. Gjithsesi, ai nuk pritet të dalë për gjykim në Francë, të paktën deri në vitin 2020.
Top Channel