Vendimi më i rëndësishëm në karrierën e tij 13-vjeçare si gjyqtar, Fatos Lulo e ka dhënë pikërisht në Gjykaten Kushtetuese, kur u shpreh pro ligjit të vettingut, pikërisht ligjit që atij i rrezikon udhëtimin e mëtejshëm në drejtësi.
Po kush është Fatos Lulo? Siç shprehet në kurrikulumin e tij, 57-vjecari Fatos Lulo është diplomuar për drejtësi në vitin 1988 dhe pas kësaj për katër vitet vijuese ka qenë i angazhuar si jurist në komitetin e përkrahjes sociale.
Nga vitit 1994 deri në 2004 ka ushtruar detyrën e avokatit. Ndërkohë që më pas zgjidhet nga parlamenti si anëtar i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit.
Lulo veshi pelerinën e gjyqtarit të lartë nga viti 2005 deri në 2013, kohë në të cilën rezulton të ketë dhënë vendime kryesisht si pjese e kolegjeve civile për largimet e padrejta nga puna, sikurse edhe ishte pjesë e kolegjeve të bashkuara kur u trajtua shkarkimi i tre gjyqtarëve ushtarakë, të cilëve Gjykata e Lartë u dha të drejtë për një vendim ndaj shtetasit Mihal Delijorgji që kishte qenë nën gjykim prej tyre për dyshimet e kontrabandës, një dosje kjo që u soll në vëmendje nga inspektimet e KLD pas tragjedisë së Gërdecit.
Në mbrojtje të gjyqtarëve është shprehur Fatos Lulo edhe në një vendim tjetër në vitin 2005 në Gjykaten e Lartë, atëherë kur shqyrtoi dosjen gjyqtarja Gaba e të tjerë, të cilët ishin shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në kohën kur ky këshill drejtohej nga Bamir Topi.
Por çështja më delikate që kalon përtej Shqipërisë eshte ajo e ekstradimit të Almir Rrapos drejt Amerikës, një çështje që u konsiderua nga Gjyakat e Lartë aso kohe se nuk i afronte garancitë e jetës së ekstraduarit.
Në fakt ky vendim që shfuqizonte dy vendime pro ekstradimit të dy shkallëve më të ulta u dha me shume vonesë sepse Rrapo ndërkohë ju ishte dorëzuar amerikanëve.
Si për rastësi aso kohe Almir Rrapo mbrohej nga avokati Ardian Visha, i njëjti që sot lufton me vettingun për ta mbajtur në gjyqësor Fatos Lulon.
Top Channel