Avokati kryesor i presidentit Donald Trump për hetimin e prokurorit special për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s, dha dorëheqjen.
Një pjesë e mediave amerikane raportojnë se John Dowd doli në përfundimin se Trump po injoronte gjithnjë e më shumë këshillat e tij. Të tjera raportojnë se Trump kishte humbur besimin tek aftësitë e Dowd për të menaxhuar hetimin e prokurorit special Robert Mueller.
Dorëheqja e John Dowd vjen pikërisht kur Trump ka shtuar sulmet e tij ndaj hetimit Mueller dhe pak ditë pasi vetë Dowd tha se hetimi duhej mbyllur. Në një mesazh për gazetën Washington Post, Dowd u tregua i kursyer në detaje për largimin, por tha se e vlerëson presidentin dhe i uron fat.
Sipas mediave, Trump dhe Dowd nuk ishin dakord për marrjen në pyetje nga prokurori special, diçka që Trump e kërkonte, ndërsa Dowd e kundërshtonte. Nuk dihet se kush do të marrë tashmë drejtimin e ekipit ligjor të Trump, por kandidatët nuk mungojnë.
Një javë më parë Trump punësoi avokatin veteran Joe diGenova, ndërsa CNN raporton se pas largimit të Dowd, të paktën katër avokatë të tjerë kanë kërkuar të jenë pjesë e ekipit ligjor.
Ky i fundit po negocion për intervistën e Trump nga Mueller, i cili po heton jo vetëm ndërhyrjen ruse në zgjedhje, por edhe nëse Presidenti ka penguar drejtësinë.
Top Channel