Administrata amerikane e Donald Trumpit po planifikon të vendosë sanksione ndaj Kinës gjatë kësaj të enjteje, pasi ka dalë në përfundimin se vendi po inkurajon vjedhjen dhe transferimin e pronës intelektuale nga bizneset amerikane.
Shtëpia e Bardhë njofton se sanksionet vijnë pas një dekade bisedimesh mbi këtë çështje, që kanë dështuar të prodhojnë një ndryshim. Veprimet pritet të përfshijnë tarifa, sikurse edhe masa të tjera ndëshkuese. Edhe këto plane kanë shtuar frikën e një lufte të gjerë tregtare.
Sipas asaj që raporton media amerikane, Shtëpia e Bardhë po konsideron të vendosë tarifa prej rreth 30-60 miliardë dollarësh, sikurse edhe masa që do të kufizonin invetimet.
Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë gjithashtu të çojnë ankesat e tyre në Organizatën Botërore të Tregtisë, sipas asaj që deklarojnë zyrtarë me njohuri mbi tregtinë.
Kryenegociatori amerikan i tregtisë, Robert Lighthizer u tha anëtarëve të Kongresit gjatë së mërkurës se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë të ushtrojnë “presionin maksimal ndaj Kinës, si dhe presionin minimal ndaj konsumatorëve amerikanë”. Ai thotë se mbrojtja e pronës intelektuale është jetike për ekonominë amerikane.
“Sigurisht që është një çështje me rëndësi të jashtëzakonshme”, tha Lighthizer gjatë një seance dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve. “Ne mendojmë se kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që do të mund të bëhej në drejtim të ribalancimit të tregtisë”.
Një zyrtar amerikan i tregtisë u tha reporterëve se Shtetet e Bashkuara kanë prova se Kina u kërkon firmave vendase të krijojnë partneritete lokale dhe të futen në tregun kinez, një mënyrë presioni ndaj tyre për transferimin e teknologjisë. Gjetjet vijnë nga një rishikim i praktikave të Kinës, që presidenti Trump urdhëroi në muajin gusht, i quajtur edhe si “hetimi 301”.
Në seksionin 301 të Aktit të Tregtisë, qeveria i jep vetes pushtetin për të vendosur sanksione të njëanshme ndaj vendeve, të cilat përcaktohen prej saj se nuk po i përmbahen rregullave të tregtisë së ndershme. Trump është ankuar vazhdimisht kundër deficitit masiv tregtar të SHBA-ve me Kinën.
Top Channel