Votuesit në Holande i thanë jo fuqive të reja të grumbullimit të të dhënave online nga agjensitë e sigurisë, në një referendum të luftuar shumë ngushtë.
Me thuajse të gjitha votat e numëruara, 48.8% e votuesve kanë refuzuar fuqitë e reja të spiunëve, ndërsa 47,3% kanë votuar në favor të tyre. Rezultati i referendumit hedh poshtë sondazhet e mëhershme që thonin se populli do t’ia akordojë këto fuqi agjencive të inteligjencës.
Mbështetësit e fuqive të zgjeruara të përgjimit online thonë se ato ndihmojnë në luftën kundër terrorizmit, ndërsa kundërshtarët thonë se ligji mund të keqpërdoret dhe mund të jetë shkelje e jetës private.
Megjithëse rezultati i referendumin nuk është ligjërisht detyrues, kryeministri holandez Mark Rutte tha se do ta konsiderojë shumë seriozisht. Ligji i jep të drejtën inteligjencës holandeze që të përgjojë zona të tëra dhe jo thjesht individë, të ruajë të dhënat deri në tre vjet dhe t’i ndajë apo me agjenci të tjera inteligjence.
Ligji u miratua vjet nga parlamenti holandez, por vota jo në referendum mund ta kthejë atë në legjislativ. Kritikët e ligjit thonë se fuqitë e tij shkojnë shumë larg dhe mbi të gjitha askush s’mund t’i mbikëqyrë agjencitë e inteligjencës në përdorimin e fuqive të reja. Por qeveria e ka mbështetur ligjin me justifikimin se e bën vendin më të sigurt.
Top Channel