Heroina e luftës në Ukrainë, arrestohet për terrorizëm

22/03/2018 18:28

Një prej ligjvënësve më të famshëm në Ukrainë, Nadia Savcenko, u arrestua me dyshimin se po planifikonte një sulm ndaj parlamentit dhe se mbështet një grusht shteti.

Ish-pilotja e helikopterit u arrestua në Parlament, pasi kolegët e saj deputetë panë provat kundër saj dhe votuan për t’i hequr imunitetin. Vetë Savcenko u shfaq mjaft sfiduese në sallë dhe nuk i mohoi akuzat.

Ajo konsiderohej si heroinë kombëtare pasi u kap rob nga rusët ndërsa luftonte rebelët dhe kaloi dy vjet në burgjet ruse. Deputetët ukrainas panë një video ku ajo fliste me dy oficerë për një sulm të mundshëm ndaj parlamentit. Savcenko nuk vuri në dyshim vërtetësinë e videos.

Ajo tha se qeveria e korruptuar e Ukrainës duhet rrëzuar, ndërsa e përshkroi komplotin për të cilin akuzohet si një provokim. Megjithatë, prokurorët kanë një tjetër mendim, pasi ata e akuzojnë për planifikimin e një sulmi masiv terrorist në Kiev.

Ajo gjithashtu akuzohet se ka bërë marrëveshje me rebelët pro-rusë për tu furnizuar me armë zjarri, mortaja, granata e të tjera si këto. Savcenko u kthye në Ukrainë nga Rusia pasi u fal nga presidenti putin dhe që prej përfshirjes në politikë ka qenë një kundërshtare e ashpër e qeverisë ukrainase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA