Paris, transport falas për të ulur ndotjen e ajrit

21/03/2018 13:51

Kryebashkiakia e Parisit kërkon ta bëjë falas të gjithë transportin publik, në një përpjekje për të reduktuar ndotjen e ajrit, por përballet me kundërshtinë e ashpër të kreut të autoritetit rajonal të transportit, që pretendon se ky hap do të godasë taksapaguesit.

Hidalgo i njoftoi planet këtë javë duke thënë se donte ta diskutonte çështjen përpara zgjedhjeve rajonale të 2020-s.

Kryebashkiakia socialiste deklaroi se të gjitha qytetet e mëdha në botë po përpiqen të promovojnë lëvizshmërinë e pastër duke reduktuar numrin e automjeteve në rrugë.

Për realizimin e këtij qëllimi sipas saj, transporti publik duhet bërë më joshës. Por politikanja konservatore Valerie Pecresse, kreu i autoritetit rajonal të transportit u shpreh kundër këtij propozimi, duke thënë se nëse pasagjeret nuk paguajnë, barra do të bjerë mbi taksapaguesit.

Pecresse, e cila mund të sfidojë Hidalgon për bashkine e Parisit tha se do ishte e padrejte ta bënin transportin falas për parisienët, por jo për qytetarët që jetojnë në periferi. Kryebashkiakia nuk e specifikoi nëse propozimi i saj do të mbulonte vetëm 2.2 milionë banorët e Parisit apo të 12 milionë qytetarët që jetojnë në rajonin e Ile-de-France.

Një studim i zhvilluar nga eurostat në 2015-tën, tregoi se kryeqyteti francez ka nivelet më të larta të përdorimit të transportit publik në Europë, me më shumë se 60 përqind te qytetarëve që përdorin metrotë, autobusët dhe trenat. Vetëm 25 përqind thonë se përdorin automjetet e tyre për të shkuar në punë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA