Pas çimentimit të pushtetit, presidenti kinez Xi Jinping e theksoi përmes një fjalimi me tone të thella nacionaliste linjën e tij të sundimit me dorë të fortë, në vendin më të populluar të botës.
Duke folur në mbylljen e Kongresit të 13 Kombëtar, Xi tha se “ringjallja e kombit kinez është bërë ëndrra më e madhe e popullit të tij”.
“Ne jemi të vendosur të luftojmë një betejë të përgjakshme kundër armiqve tanë, me një vendosmëri të fortë për të marrë vendin që na takon sot në botë. Por, Kina nuk duhet të vetëkënaqet me arritjet e saj”, tha Xi Jinping.
Ky fjalim ishte praktikisht një thirrje për mbështetjen e mandatit të dytë të Xi si kryetar shteti, një rol të cilin me shumë gjasë do ta mbajë përgjatë të gjithë jetës, pas heqjes kontroverse që iu bë kufizimeve të qëndrimit të presidentit në pushtet.
Lëvizja i garanton njeriut më të fuqishëm të Kinës një pozicion të padiskutueshëm politik në drejtimin e një vendi, që po shtrihet sot më shumë se kurrë nëpër botë, duke shtyrë superfuqinë rivale, Shtetet e Bashkuara, në sediljen e pasme.
Fjalimi i Xi për unitet total ishte edhe një paralajmërim i fuqishëm kundër çdo përpjekjeje separatizmi nga vende si Taivani dhe Hong Kongu.
Ndërkohë, kryeministri Li Keqiang shpjegoi se Kina është e angazhuar në bashkëpunimin global tregtar. Ai tha se shteti komunist do ta hapë edhe më shumë ekonominë e tij, e do të sigurohet që si firmat vendase, ashtu dhe ato të huajat do të jenë në gjendje të konkurrojne ndershmërisht në tregun e madh kinez.
Zotime të ngjashme, megjithatë, zyrtarët kinezë i kanë marrë shpeshherë edhe në të kaluarën.
Top Channel